Dështon formimi i qeverisë së re në Bosnjë, nuk ka pajtueshmëri për NATO-n

Anëtarët e presidencës trepjesëshe të Bosnjës e Hercegovinës kanë dështuar ta formojnë qeverinë e re më shumë se dhjetë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme.

Takimi i së martës mes udhëheqësit të boshnjakëve myslimanë, Sefik Dzaferovic, udhëheqësit të kroatëve, Zeljko Komsic dhe përfaqësuesit të serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, përfundoi pa ndonjë marrëveshje për formimin e kabinetit të ri, sepse Dodik-u ishte kundër planit për afrimin e Bosnjës drejt anëtarësimit në NATO.

Bosnja e Hercegovina në vitin 2010 është bërë pjesë e Planit të Aksionit për Anëtarësi të NATO-s, që paraqet hapin e parë për anëtarësim në aleancën më të fuqishme ushtarake në botë.

Megjithatë, lideri serb e ka kundërshtuar vazhdimisht anëtarësimin e Bosnjës në këtë organizatë, duke këmbëngulur në mbajtjen e neutralitetit mes Lindjes dhe Perëndimit.

Mosmarrëveshjet mes serbëve të Bosnjës dhe dy grupeve të tjera etnike për të ardhmen e marrëdhënieve me NATO-n mund ta fusë vendin në krizë edhe më të thellë politike.

Marrëveshja për këtë çështje është shumë e rëndësishme për Bosnjën për shkak se mungesa e qeverisë ka ndikuar në ngecjen e zhvillimit ekonomik në vendin që ende është duke u rimëkëmbur nga lufta shkatërruese e periudhës 1992-1995, shkruan “Free Europe”.