Deputetja italiane tërhiqet nga deklaratat për “mbytjen e anijeve të emigrantëve”

Daniela Santanche, deputetja italiane e “Forca Italia”, e cila me deklaratat e saj pas tragjedisë së fundit në brigjet italiane, ngriti një re polemikash të forta në vendin e saj dhe një valë zemërimi në Shqipëri, duket se është tërhequr nga deklaratat e një dite më parë.

Në rastin më të mirë ajo thotë se deklaratat e saj janë keqpërdorur. Pasi deklaroi se duhet të fundosen varkat me emigrantë, Santanche e ka modifikuar deklaratën e saj. Në një intervistë telefonike për “Top Channel” Santanche shprehet se deklarata e saj ka pasur për qëllim ndalimin e anijeve që në nisje.

“Unë kam deklaruar se duhet të fundosim të gjitha varkat përpara se ato të nisen, duke mos i lejuar këto udhëtime të vdekjes. Unë jam për të mbrojtur, për të gjetur mënyrë për të shpëtuar jetët njerëzore, sepse është detyrë e çdo shteti të luftojë për të mbrojtur njerëzit në vështirësi, sepse kush shpëton një jetë njerëzore, shpëton botën. Por për të bërë këtë gjë, duhet të fundosim të gjitha varkat për të mos i lejuar që të ndërmarrin këto udhëtime të vdekjes. Unë jam për t’i ndihmuar njerëzit dhe jo për t’i lënë të vdesin. Janë ata që i nisin të cilët kanë përgjegjësinë, sepse duhet t’i ndalojmë që të nisen, që të mos ndërmarrin udhëtimin e vdekjes. Ky është problemi. Duhet gjithmonë t’i ndihmojmë. Nuk mund t’i lëmë të vdesin njerëzit në mes të detit. Por beteja ime është që të mos i lejojmë të nisen. Të ngremë qendrat e pritjes në brigjet afrikane, jo në shtetet tona. Të mos i lejojmë të vijnë këtu ku nuk mund t’i ofrojmë një vend pune, ku nuk mund t’i japim një shtëpi”, thotë deputetja e “Forca Italia”, transmeton Tch.

E pyetur mbi paralelizmin që ajo ngriti me Shqipërinë dhe shqiptarët, Santanche deklaron se i është referuar operacionit “Ylberi” të vitit 1999 ku qeveria italiane dërgoi forcat e saj në Shqipëri për të ndihmuar emigrantët e ardhur nga Kosova dhe për të ndaluar nisjen e gomoneve nga brigjet shqiptare në drejtim të Italisë.