Carla del Ponte ka fshehur faktet për krimet e Mlladiqit dhe Millosheviqit

​Ishim një hap nga faktet e fshehta të Mlladiqit dhe Millosheviqit, por del Ponte për arsye të presioneve stopoi gjithçka, deklaroi ish-prokurori i Tribunalit të Hagës, i cili shtoi se ndaj kësaj gjykate ka pasur ujdi dhe presione.

Nice tha për javoren serbe NIN se ish-kryeprokurorja Carla del Ponte është marrë vesh me Beogradin për të lënë në “terr” dokumentet që kanë të bëjnë me transkriptet e Këshillit suprem të ushtrisë së ish-Jugosllavisë, transmeton lajmi.net.

Ato dokumente janë hapur në gjykimin kundër ish-gjeneralit Momçillo Perishiq, kurse shumë boshnjakë besojnë që pikërisht pjesët e fshehura të atyre dokumenteve do të ishin kyçe për dënimin e Serbisë për gjenocid, thotë Nice.

Sipas fjalëve të tij, juristët e angazhuar në rastin e Ramush Haradinajt kanë sugjeruar që nuk ka dëshmi të mjaftueshme për të ngritur aktpadi, por Carla del Ponte ka instruktuar dy juristët që aktpadia megjithatë të ngrihet.

Ajo ka pritur që duke akuzuar Haradinajn do ta bindë palën serbe për të arrestuar Radovan Karaxhiqin dhe Ratko Mlladiqin, tha Nice.

Duke folur për faktet e fshehura, ai tha se nga bisedat e incizuara shihej që Millosheviqi ka qenë i njoftuar për ngjarjet në Srebrenicë. “ishim afër që nga Gjykata të marrin miratimin për të kërkuar ato biseda , por Carla del Ponte ishte nën presione për të tërhequr këtë kërkesë, theksoi Nice, duke theksuar se ato presione nuk vinin direkt nga Serbia.