Britanikëve dhe të huajve do t’u kufizohet liria e lëvizjes pas Brexit-it

Qeveria britanike ka paralajmëruar se rregullat që ua mundësojnë shtetasve të Bashkimit Evropian të jetojnë dhe punojnë lirshëm në Mbretërinë e Bashkuar do të marrin fund të rast të largimit të këtij shteti pa marrëveshje nga BE-ja.

Qeveria e ish-kryeministres May e kishte shqyrtuar shtyrjen e të drejtave për lirinë e lëvizjes deri në vitin 2021 dhe lejimin e qytetarëve të BE-së të qëndrojnë në Britani për tre muaj para se të aplikojnë për qëndrim më të gjatë. Sidoqoftë, këto opsione tashmë janë hedhur poshtë.

Rreth 3 milionë qytetarë të Bashkimit Evropian jetojnë në Britani të Madhe. Liria e lëvizjes ua mundëson atyre të jetojnë dhe punojnë në shtete të tjera të BE-së.

I pyetur lidhur me këtë çështje, kryeministri Johnson ka thënë se Mbretëria e Bashkuar nuk do të bëhet shumë e vrazhdë ndaj imigrantëve, duke shtuar se imigrimi do të kontrollohet në mënyrë demokratike.

Sipas marrëveshjes aktuale për tërheqje nga BE-ja, e cila është arritur mes ish-kryeministres May dhe udhëheqësve të Bashkimit Evropian, të drejtat për lirinë e lëvizjes do të vlejnë për një periudhë kalimtare prej dy vjetësh pas largimit të vendit nga BE-ja, shkruan “BBC”.