Brazili do ta çelë bazën e re për kërkime shkencore në Antarktidë

Brazili pritet të inaugurojë këtë javë një bazë të re në Antarktidë, që do t’i lejojë rifillimin e plotë të kërkimeve të tij shkencore në Polin e Jugut, tetë vjet pas zjarrit që shkatërroi objektet e tij në vitin 2012.

Qeveria braziliane ka investuar njëqind milionë dollarë për të rindërtuar Stacionin Antarktik “Comandante Ferraz”, një kompleks prej 4 500 metrash katrorë, i vendosur në ishullin Mbreti Xhorxh, më i madhi në arkipelagun e Shetlandit të Jugut.

Inaugurimi ishte caktuar për sot, por Marina braziliane njoftoi se do të shtyhet për të mërkurën për shkak të motit të keq, që pengon uljen e avionëve që transportojnë zyrtarët qeveritarë, të cilët do të marrin pjesë në ceremoni.

Objektet janë ndërtuar në të njëjtin vend me bazën që mori flakë në vitin 2012, pas një rrjedhjeje karburanti.