Babai i verbër bartë në shpinë të birin që vuan nga paraliza cerebrale, e shpëton nga uragani Dorian – mezi ecte nga thellësia e ujit

Një burrë i verbër nga Ishujt Bahama ka arritur të bëjë diçka që konsiderohej pothuajse e pamundur: përkundër uraganit të fuqishëm Dorian që ka shkatërruar gjithçka para vetes – ai e dërgoi të birin e tij invalid në një zonë të sigurtë.

Pasi që uragani shkatërroi kulmin e shtëpisë së tij, Brant Lowe, 49-vjeç, është detyruar ta dërgojë të birin e tij 24-vjeç në një zonë më të sigurtë dhe atë duke ecur nëpër ujë, që e mbuloi deri në mjekër, transmeton Telegrafi.

I biri i tij vuan nga paraliza cerebrale dhe si rezultat i kësaj sëmundje nuk mund të ecë. Në anën tjetër, Brand që kishte mbetur i verbër 11 vite më parë, e ka bartur në shpinë birin e sëmurë duke kaluar nëpër rrugët e mbuluara me ujë dhe kështu e dërgoi të birin në një vend më të sigurtë.

“Shiu filloi të binte më shumë dhe nuk mund të prisja më dhe u detyrova të reagojë. E barta në shpinë, thellësia e ujit ishte aq e madhe sa që edhe mjekrën për pak sa nuk ma mbulonte”, ka deklaruar Brant për mediat amerikane.

E gjitha filloi kur erërat e forta shkatërruan kulmin e shtëpisë dhe kështu me familjarët dhe fqinjët u fshehën në tualet, duke menduar se do të jenë më të sigurtë. Megjithatë edhe ajo zonë filloi të rrezikohet dhe kështu vendosi të ndërmarr diçka.

“Kam qenë i tmerruar sepse nuk besoja që ishte aq thellë. Prisja që uji të arrinte deri të gjunjët kur shkela jashtë, por e kuptova se situata ishte shumë me e keqe”, ka shtuar Lowe.

Ky baba e barti në shpinë të birin deri te një i afërm që më pas i ndihmoi deri në një strehimore. Megjithatë është detyruar të largohet nga familjarët e tij pasi që i është dashur tre herë në javë t’i nënshtrohet dializës. E përkujdesin për të birin e ka ndërmarrë motra e tij e madhe.