Autoblindat e policisë largohen nga Gushinca

Autoblindat e forcave maqedonase të sigurisë janë tërhequr nga fshati Gushincë i Kumanovës.

Gjendja e sigurisë është e qetë dhe njerëzit bëjnë punët e rëndomta të ditës. Askush nuk ka vërejtur njerëz të uniformuar të UÇK-së.

Kështu deklaroi kryetari i komunës së Likovës, Sadulla Duraku duke u bazuar në të dhënat e marra nga banorët shqiptar të Gushincës. Duraku këto komente i bëri në ditë pas incidentit të fundit ku Ministria e Brendshme e kualifikoi si akt terroristë i kryer nga 40 pjesëtar të UÇK-së së Kosovës.

“Situata është e qetë, banorët e komunës i kryejnë punët e rëndomta të ditës. Askush nuk ka vërejtur njerëz të uniformuar të UÇK-së. Banorët e Gushincës na thanë se autoblindat e policisë janë larguar nga fshati, dhe ka vetëm policë të rëndomtë”, ka deklaruar për ZHURNAL, kryetari i Sadulla Duraku.

Dje Ministria e Punëve të Brendshme e cilësoi këtë si “sulm terrorist”, dhe akuzoi UÇK-në si përgjegjësen kryesore.

Por këto akuza i ka hedhur poshtë ish-komandanti i UÇK-së në Likovë, Abedin Zymberi, i cili tha se ky është një skenar i qeverisë për të larguar vëmendjen nga skandali i përgjimeve.

Edhe Policia e Kosovës reagoi duke thënë se, nuk ka informacione për ndonjë grup të dyshimtë që ka kaluar kufirin për të hyrë në Maqedoni.

Mediet proqeveritare maqedonase po flasin për pragun e një konflikti etnik në Maqedoni.

Ndërkohë bëhet e ditur se një grup punues i Këshillit të Evropës, përgjegjës për Ballkanin Perëndimor, i përbërë nga 35 përfaqësues të të gjitha shteteve të Bashkimit Evropian, do të qëndrojë të mërkurën  në Maqedoni.