Alarmon OBSH’ja: Po mbyllet dritarja e mundësisë për ta frenuar përhapjen globale të koronavirusit

Komuniteti ndërkombëtar duhet të shtojë përpjekjet për frenimin e koronavirusit, mes shqetësimit të infeksionit në Iran dhe Korenë e Jugut, deklaroi shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus.

“Dritarja e mundësive është ende aty, por dritarja jonë e mundësive po ngushtohet”, theksoi ai një konferencë për shtyp.

Tedros shtoi se deri tani, vendet nuk i janë përgjigjur në mënyrë të përshtatshme apelit të OBSH-së për 61,5 milionë dollarë, për të financuar planin global të Covid-19.

Ndërkohë, në Itali, zyrtarët njoftuan sot se 14 persona janë infektuar në Lombardi nga koronavirusi, ndërsa dy raste të tjera janë identifikuar në Veneto.

Qytetarëve në disa qytete të Lombardisë u është kërkuar që të qëndrojnë në shtëpi dhe të shmangin kontaktet me persona të tjerë.

“Italia është gati. Kishim përgatitur një plan sepse ishte e qartë çfarë mund të ndodhte”, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Roberto Speranza.

“Tani është çështje e zbatimit të planit. Ky plan shfaq vendime të menjëhershme për zonat e shpërthimit, për të limituar përhapjen e virusit”, është shprehur ai.