Treni “plumb” i parë në botë pa shofer niset në Kinë, arrin 350 km/h

Kina sapo ka shkruar një tjetër moment historik në planet të zgjerimit hekurudhor për trena shpejtësi të lartë.

Derisa Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit 2022 janë afër, linja e re hekurudhore me gjatësi 173 km që lidh kryeqytetin me qytetin pritës të evenimentit sportiv, Zhangjiakou, sapo ka hyrë në shërbim, duke shkurtuar kohën e udhëtimit nga tre orë në 47 minuta, raporton CNN.

Kjo, falë trenit “plumb”, i cili është i aftë të arrijë 350 km në orë, si dhe të ketë sistem autonom të vozitjes, përkatësisht të vozitet pa shofer. Ai konsiderohet si i pari i llojit të tij në botë.

Duke marrë rreth katër vjet për të ndërtuar, linja, e përmendur edhe si hekurudha me shpejtësi të lartë, Jing-Zhang lidh Pekinin, Yanqing dhe Zhangjiakou, respektivisht tri vendet në të cilat do zhvillohen ngjarjet sportive përgjatë Lojërave Olimpike Dimërore.

Por, çfarë i bën trenat “të zgjuar?” Karrocat janë të pajisura me sinjale 5G, ndriçim inteligjent dhe 2.718 sensorë për të mbledhur të dhëna në kohë reale dhe për të zbuluar ndonjë anomali operative.

Ndërkohë, çdo ulëse ka panelin e tij të kontrollit me ekranin me prekje dhe vendet për karikim të pajisjeve intelegjente.