SHBA planifikon ndërtimin e një rrjeti shtetëror 5G

Administrata e Presidentit amerikan, Donald Trump, planifikon të shtetëzojë rrjetin e telefonisë mobile me synim mbrojtjen nga aktivitetet e Kinës.

Lajmi raportohet nga ‘Axios’, duke iu referuar një memo që është hartuar nga një zyrtar i lartë i Këshillit Kombëtar të Sigurisë e që është prezantuar së fundmi zyrtarisht.

Memo dhe zgjidhja që ajo rekomandon konsiderohet e paprecedentë dhe në thelb ajo sugjeron një rrjet kombëtar 5G të centralizuar brenda tre vjetësh.

Qeveria amerikane paguan për ndërtimin e një rrjeti të vetëm që do të shënonte shtetëzimin e një infrastrukture historikisht private dhe një plan alternativ ku furnizuesit wireless ndërtojnë rrjetet e tyre 5G që konkurrojnë me njëri-tjetrin, janë dy opsionet kryesore të zgjidhjes.

Plani i dytë konsiderohet se do të kërkojë kohë, ndërkohë që brenda administratës favorizojnë planin e parë vetëm për arsye të sigurisë kombëtare që kanë të bëjnë me Kinën.

Një ndërhyrje e tillë krahasohet me shtetëzimin e bërë nga Administrata Eisenhower të sistemit kombëtar të autostradave. Po kështu, ndërtimi i një rrjeti wireless 5G konsiderohet urgjent për shkak se Kina ka kapur një pozicion dominues në prodhimin dhe operimin e infrastrukturës së rrjetit.

Mënyra më e mirë për të vepruar shpejt është ndërtimi nga qeveria i një rrjeti dhe mandej dhënia akses për kompani si AT&T, Verizon dhe T-Mobile.

Teknologjia 5G konsiderohet se ka rëndësi strategjike pasi ajo është në themel të teknologjive të reja si makinat me pilot automatik dhe realiteti virtual. Po kështu Kina cilësohet si armiku kryesor apo konkurenti më i madh në sektorin Inteligjencës Artificiale, duke kaluar madje arsyetime të tilla sipas të cilave epërsia e SHBA në këtë sektor do të shërbente edhe për aleatët e saj në Azi që të përballnin sjelljen neo-koloniale të Pekinit.