ShBA kërkon ekstradimin e shefes financiare të Huaweit

Autoritetet amerikane po kërkojnë ekstradimin e shefes financiare të kompanisë kineze të teknologjisë Huawei Technologies, e cila akuzohet se ka mashtruar bankat amerikane mbi bizneset që kjo kompani ka bërë me Iranin.

Në seancën dëgjimore në një gjykatë në Vankuvër të Kanadasë nuk është marrë asnjë vendim mbi lirimin e Meng Wanzhou, e cila do të kalojë fundjavën në burg. Seanca dëgjimore do të rinisë më 10 dhjetor.

Meng, 46-vjeçe, është arrestuar në Vankuvër më 1 dhjetor teksa po udhëtonte për në Meksikë.

Disa ekspertë thonë se arrestimi i Meng rrit tensionet në mes të Pekinit dhe Uashingtonit. Marrëdhëniet mes ShBA-së dhe Kinës janë përkeqësuar pas mosmarrëveshjeve mbi praktikat tregtare dhe vendosjen e tarifave.

Meng është zëvendëskryetare e bordit të kompanisë Huawei dhe është vajza e themeluesit të kësaj kompanie, Ren Zhengfei.

Huawei është furnizuesi më i madh në botë i pajisjeve që përdoren për telefona dhe kompani të internetit. Zyrtarët e inteligjencës amerikane e akuzojnë kompaninë se ka ndikuar ushtrinë kineze dhe shërbimet e sigurisë për të spiunuar.

Meng akuzohet nga autoritetet amerikane se ka fshehur lidhjet e kompanisë, teksa kompania është munduar që të shes pajisje në Iran, pavarësisht sanksioneve që ShBA-ja ka vendosur kundër Teheranit.