Prezantohet Hello, Facebook modernizon thirrjet telefonike

Miliarda thirrje bëhen çdo ditë në telefonat mobilë dhe njerëzit shpeshherë kanë shumë pak informacione se kush është duke i thirrur.

Tani Facebook ka nisur të testojë një aplikacion të ri të quajtur Hello, i krijuar nga ekipi i Messengerit, që synon të modernizojë thirrjet telefonike.

Hello lidhet me Facebookun, kështu që ju mund të shihni se kush është duke ju thirrur, të bllokoni thirrjet e padëshiruara dhe të kërkoni njerëz dhe vende, transmeton Tribuna Channel.

Kur ju thërrasin, Hello do t’ju shfaqë informata rreth telefonuesit, edhe nëse nuk e keni atë numër të ruajtur në telefonin tuaj. Ju do të shihni vetëm të dhëna që njerëzit i kanë bërë publike në Facebook.

Ju po ashtu mund të kërkoni njerëz dhe biznese në Facebook, dhe t’i thirrni ata me vetëm një prekje.

Nëse dikush ju tregon për një restorant të ri në lagjen tuaj, ju mund të përdorni aplikacionin Hello për të shikuar se kur ai është i hapur, të bëni një rezervim dhe të shihni vendndodhjen e tij në hartë, pa u larguar asnjëherë nga aplikacioni.

Hello po ashtu ju mundëson të bllokoni lehtësisht thirrjet e padëshiruara. Ju mund të bllokoni numrat specifikë apo të zgjidhni të bllokoni automatikisht thirrjet nga numrat e bllokuar nga shumë njerëz.

Aplikacioni Hello aktualisht është në dispozicion vetëm për përdoruesit e telefonave të mençur me Android, dhe mund të shkarkohet që tani në Play Store.