Pamje të rralla të Golfit të ri, që së shpejti do dali në treg

Volkswagen, kompani prodhuese e makinave, ka mbajtur një prezantim ndërkombëtar për media të Golf 8-shit në Portugali, përpara se ai të dalë zyrtarisht në treg.

Kompania prestigjioze gjermane do ofrojë gjeneratën e tetë të serisë ‘Golf’ në Gjermani muajin e ardhshëm, gjersa në vendet e tjera të Evropës do plasohet në tremujorin e parë të vitit 2020.

Gjithashtu, edhe shitjet e Golf 8-shit do të fillojnë në Gjermani muajin e ardhshëm dhe klientët do të kenë mundësinë të zgjedhin mes dy motorëve benzinë, një version hibrid “të butë” dhe dy motorëve naftë. Motorët benzinë janë 1.5-litër TSI me kapacitet prej 130 dhe 150 kuaj-fuqi, ndërsa versioni hibrid do të jetë në dispozicion me motor benzinë 1.5-litër ETSI dhe një motor elektrik ku në total do të ketë kapacitet prej 150 kuaj-fuqi.

Ata që preferojnë versionet me naftë, do të kenë në dispozicion motorët 2.0-litër TDI me 115 dhe 150 kuaj-fuqi. Më vonë, në ofertë do të jenë edhe motorët benzinë 1.0-litër TSI me 90 dhe 110 kuaj-fuqi, si dhe versionet hibride “të buta” me motorë benzinë 1.0-litër eTSI me 110 kuaj-fuqi dhe 1.5-litër eTSI me 130 kuaj-fuqi.

Shitja do të përfshijë gjithashtu dy versione hibride plug-in me një fuqi totale prej 204 dhe 245 kuajfuqi. Të dy versionet do të jenë në dispozicion me motorin benzinë 1.4-litër TSI Turbo dhe një motor elektrik me baterinë litium-jon me kapacitet prej 13 kWh.

Gjithashtu, në ofertë do të jenë në dispozicion edhe versionet me përformancë të lartë, të tilla si GTI, GTD dhe R.

Çmimet për modelet e ndryshme të gjeneratës së tetë do variojnë prej 22-32 mijë euro.