Misioni i “Lamborghinit” për të ndryshuar të ardhmen e superautomobilave elektrikë

“Lamborghini” jo vetëm që prodhon superautomobila, por edhe i ka shpikur ata.

Sigurisht, kishte automobila të shpejtë e të shtrenjtë para se të hynte në treg “Lamborghini”. Por asgjë s’ishte si një “Lamborghini”. Krijimet e prodhuesit të njohur italian ishin tejet të ulëta duke bërë që automobili “të rrëshqiste” në rrugë. Motorët ishin tejet të mëdhenj dhe të zhurmshëm e zinin vend menjëherë pas dy ulëseve. Dyert hapeshin drejt qiellit.

Tani “Lambo” ka marrë iniciativë për një sfidë të re: Të zhvillojë një mënyrë për të bërë superautomobila pa emetim, duke mos përdorur bateritë litium-jon në të cilat po bazohen prodhuesit e tjerë të automobilave elektrikë.

Teknologjia e sotme e baterive thjesht nuk bën, insiston MaurizioReggiani, shef teknik në “Lamborghini”. Bateritë janë tejet të rënda, masive dhe s’mund të performojnë në nivel të lartë mjaftueshëm. Pas një xhiroje apo dy në një garë shpejtësie me shpejtësi prej 250 kilometrash për orë, ku përshpejtimi i shpejtë dhe frenimi i vrullshëm përsëriten kohë pas kohe, bateritë nisin të shpenzohen. Po ashtu, bateritë janë të mëdha dhe të rënda dhe pesha është armik i performancës së lartë.

“Lamborghini” është duke punuar me hulumtuesit në Institutin e Teknologjisë në Massachusetts që nga viti 2017 për dy zgjidhje të mundshme. Njëra nga to është një formë e re e baterisë e bërë nga karboni që aktualisht përbën disa pjesë të automobilit, ashtu që të mos shtohet peshë. Tjetra është një mbajtës krejtësisht tjetër i energjisë: Një superkondensator.