Jony Ive emërohet si shefi i dizajnit i Apple-it

Apple ka emëruar dizajnerin britanik Jonathan Ive në rolin e shefit të dizajnit në kompani. Sipas gazetës prestigjioze Telegraph, Ive tani do të mbajë pozicionin më të lartë të shefit të dizajnit. Ndërkohë, dy zëvendësit më të afërt, Alan Dye dhe Richard Howarth, do të mbajnë postin e zëvendës presidentit të Ndërfaqes së Përdoruesit dhe Dizajnit Industrial, post që më parë mbahej nga Jony Ive.

9toMac zbuloi një memorandum të brendshëm të shkruar nga shefi ekzekutiv i Apple-it, Tim Cook, ku sugjeron se roli i ri do t’i japë mundësi Jony Ive të drejtojë projekte gjigante. Në memorandum theksohet se ky ndryshim është një reflektim i llojeve të projekteve që Ive është përfshirë së fundmi, duke përfshirë këtu dyqanet me pakicë të Apple-it dhe godinën e re të gjigantit të Kupertinos.

Ive ka dizajnuar pajisje të ndryshme të Apple-it, si kompjuterët iMac, MacBook Air dhe Pro, iPod, iPhone dhe Apple Watch. Ai i është bashkuar kompanisë Apple që në vitin 1992.