Interneti në kolaps brenda 8 vitesh

Ekspertët e teknologjisë kanë paralajmëruar se interneti mund të pësojë një kolaps pas 8 vitesh, për shkak të “krizës së kapacitetit”. Kërkesat tona gjithnjë e në rritje për të dhëna më të shpejta, shërbimet e televizioneve në internet dhe kompjuterët më të fuqishëm po e çojnë strukturën e komunikimeve tona në limit.

Ekspertët e teknologjisë dhe kompanitë e telekomunikacionit paralajmërojnë se kabllot dhe fibrat optike që përdoren për të mbajtur informacione tek kompjuterët, tabletët dhe telefonat inteligjentë të njerëzve do të arrijnë së shpejti limitin e tyre dhe nuk do të kenë mundësi të mbajë më të dhëna.

Firmat e internetit do të jenë të detyruar të prodhojnë më shumë kabllo që të përballojnë kërkesat, kështu do të ketë kosto shtesë për konsumatorët. Që nga viti 2005 shkencëtarët kanë vënë re një rritje të kërkesës nga ana e klientëve për shpejtësinë e internetit deri në 50 herë, transmeton krokodili.al

Profesori Andrew Ellis, i cili organizoi një takim në Shoqërinë Mbretërore të Londrës në fund të muajit prill, tha për Daily Mail se kostoja për internetin do të rritet shumë dhe faturat do të jenë më të larta.

“Kemi nisur të punojmë nëpër laboratorë në mënyrë që të mund të vendosim të dhënat e fundit në një fibër të vetme optike”. Profesori shpjegon se në realitet “kemi hapësira për të vendosur të dhënat dhe për 8 vitet e ardhshme. Kështu, pas 8 vitesh nuk do të mund të fusim të dhëna të tjera”.