Google do të investojë 150 milionë dollarë për gazetarinë në internet

Google po përpiqet t’i rregullojë marrëdhëniet me gazetarët evropianë, prandaj ka vendosur të ndërmarrë disa iniciativa të reja që do të jenë të dobishme për gazetat online. Kompania do të bashkëpunojë me disa nga gazetat më prestigjioze për të trajnuar gazetarët digjital dhe për të krijuar mjete të reja për informimin e njerëzve në internet.

Gjiganti amerikan njoftoi partneritetin me 8 gazeta evropiane, duke përfshirë këtu edhe The Guardian dhe The Financial Times. Google do të investojë gjithashtu 150 dollarë për të sjellë risi në gazetarinë digjitale në tre vitet e ardhshme, shkruan krokodili.com

Lajmi vjen në një kohë kur tensionet janë rritur shumë ndërmjet Google-it dhe institucioneve evropiane, ku Bashkimi Evropian e akuzon Google-in për praktikat e padrejta të kërkimit. Edhe pse këto akuza nuk kanë lidhje me industrinë e lajmeve, gazetarët dhe publikuesit evropianë kanë kritikuar prej kohësh praktikat që ndjekë Google për shfaqjen e informacioneve.

“Unë i parë besoj se Google ka dashur gjithmonë të jetë partner i industrisë së lajmeve, por pranoj gjithashtu se ndonjëherë kemi bërë edhe gabime,” u shpreh Carlo D’Asaro Biondo, presidenti i Google-it sa i përket partneriteteve strategjike në Evropë.

“Ne e dimë se kompanitë teknologjike dhe gazetat janë pjesë e të njëjtit ekosistem të informacionit. Ne duam të japim kontributin tonë në luftën e përbashkët për të gjetur modele më të qëndrueshme për lajmet.”