Facebook iu jep mundësi gazetave online të fitojnë para nga rrjeti social

Facebook do t’u japë mundësi gazetave të ndryshme të marrin të gjitha të ardhurat nga reklamat, nëse ato janë dakord që ta publikojnë të gjithë artikullin në rrjetin social. Shumë gazeta online i postojnë lidhjet e artikujve të tyre në rrjetin social Facebook, i cili është kthyer në një burim të rëndësishëm të trafikut në internet për sajtet që publikojnë lajme.

Megjithatë, hapja e këtyre lidhjeve nga pajisjet mobile vonon pak, duke u bërë shpesh e mërzitshme për njerëzit. Që të shpejtojë këtë proces, Facebook ka ndërmarrë nismën e re të quajtur “Instant Articles”, që lejon njerëzit të lexojnë të gjithë artikullin nga rrjeti social, pa pasur nevojë që të klikojnë tek sajti.

Si fillim Facebook do të shfaqë lajme dhe video nga gazeta prestigjioze si BuzzFeed, New York Times, National Geographic etj. Këto gazeta do të përfitojnë të gjitha të ardhurat nga reklamat që shfaqen në artikujt e postuar në Facebook, nëse vetë sajtet shesin reklama, ndërsa Facebook do të mbajë 30% të të ardhurave nga reklamat që ata shesin, shkruan krokodili.com

Facebook e ka krijuar veçorinë “Instant Articles” jo për të fituar të ardhura, por për të mbajtur sa më shumë përdoruesit në sajtin e saj. Duke u dhënë mundësi përdoruesve të lexojnë artikuj të ndryshëm direkt nga Facebook, kompania shpreson që ata të shpenzojnë më shumë kohë në rrjetin e saj social.