Djemtë nga Shqipëria me projekt interesant

Kanë ardhur nga Shqipëria për të prezantuar projektin  e tyre i cili ka të bëjë me panelet diellore që bëjnë të mundur mbushjen e telefonave celularë  përmes energjisë.

Grigor Basha dhe Mikel Çuni janë dy studentë nga Shqipëria të cilët do ta përfaqësojnë popullin shqiptarë në një garë ndërkombëtare, me inovacionin e tyre Smart Charging me të cilin synojnë të ndërtojnë një stacion me strukturë multifunksionale .

Inovacioni i këtyre studenteve aktualisht është ndër 15 projektet më të mira nga 792 gjithsej, nga 74 vende të botës.

Mikel Çuni, student i Fakultetit Ekonomik nga Shqipëria tha për Tribuna Channel, se ideja e tyre ka ardhur si shkas i asaj që studentët nuk kishin më herët mundësi për karikimin e telefonave celularë.

Çuni, tha se kanë ardhur në Kosovë për arsye që idenë e tyre ta përhapin edhe përtej trojeve të Shqipërisë.

Po ashtu edhe Grigor Basha, student i Fakultetit Ekonomik, tha se kanë ardhur në Kosovë që të kërkojnë mbështetje nga kjo e fundit , dhe se sipas tij nga vlerësimi i ekspertëve deri më tani kanë arritur të jenë pjesë e gjysmë finales të kompeticionit GIST TECH.

Basha, tha se shpreson që ideja e tyre do të gjej përkrahje edhe në vende të tjera dhe se do ta përfaqësojnë Shqipërinë denjësisht.

Këta studentë konkurrojnë në garën GIST TECH-i Competition 2015, konkurs i mbështetur nga Departamenti Amerikan i Shtetit.