BlackBerry shkurton stafin e punonjësve ndërkohë që konsolidon biznesin e saj

Prodhuesi kanadez i smartfonëve, BlackBerry Ltd është duke shkurtuar stafin në të gjitha degët e saj kudo nëpër botë. Këtë lajm e bëri publik vet kompania ditën e premte dhe shtoi se në të njëjtën kohë është duke konsoliduar biznesin e saj të softuerëve, harduerëve dhe aplikacioneve.

Kompania nuk bëri të ditur se sa do të jetë numri i punonjësve të pushuar nga puna.
BlackBerry, e cila raportoi një rënie me 16.8% në të ardhurat e muajit Mars, mësohet se në Shkurt të këtij viti kishte 6.224 punonjës me kohë të plotë.

Kompania aktualisht është duke riorganizuar burimet për të rritur shitjet dhe përfitimet e saj. Jo më larg se një muaj, kompania me seli në Waterloo, Ontario të Kanadasë po konsideronte të mbyllte zyrat e saj në Suedi. Kjo gjë do të silltë mbylljen e 100 vendeve të punës.

Në raportimin e ditës së Premte, kompania deklaroi se stoku është rritur me 62% në 12 muajt e fundit, një tregues ky pozitiv për kompaninë. Së fundmi qarkullojnë fjalë se BlackBerry ka shumë mundësi të blihet nga Microsoft apo Xiaomi.

Mbetet për tu parë nëse do të ndodhë diçka e tillë apo jo. BlackBerry nuk ka dhënë një lajmërin zyrtar përsa i përket kësaj çështje.