Aston Martin do t’i ridizajnojë krejt modelet

Shefi i prodhuesit britanik të automjeteve, Aston Martin, ka prezantuar planin “për shekullin e dytë” të kompanisë së tij.

Andy Palmer ka thënë se Aston Martin do të sjellë “një linjë krejtësisht të re të makinave të cilat janë duke u konstruktuar në planin më të madh të kompanisë në 102-vjet që prej themelimit”.

Ai ka shtuar se deri në fund të dekadës, secili model i Aston Martinit do të zëvendësohet me modelet e reja, ndërsa linjës do t’i shtohen edhe tri vetura.

“Plani për shekullin e dytë nuk do të sjellë vetëm vetura luksoze sportive siç kemi sjellë gjithmonë, por ato do të vijnë me teknologjinë më të re”, ka thënë Palmer në panairin Auto Shanghai 2015.

“Kemi nisur të hulumtojmë për një version elektrik të modelit Rapide, një produkt që padyshim se do të jetë shumë atraktik”, ka deklaruar ai.

Prodhuesi britanik i automjeteve po ashtu pritet të zgjerohet në të ardhmen edhe në tregun e pajisjeve të veçanta të enterierit.