Apple shiti më shumë se 61 milionë iPhone gjatë tremujorit të parë të 2015-ës

Apple zbuloi rezultatet e saj financiare për tremujorin e dytë fiskal 2015 (tremujori i parë në kalendar), i cili përfundoi më 28 mars. Falë shitjeve të shumta të iPhone-ve dhe pajisjeve Mac, si dhe performancës së mirë të dyqanit të aplikacioneve të Apple-it, App Store, gjiganti i Kupertinos pati një tremujor shumë të mirë me një fitim në neto prej 13.6 miliardë dollarë nga 58 miliardë dollarë të ardhura.

Kjo është një rritje e madhe krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku kompania regjistroi 10.2 miliardë dollarë fitime nga 45.6 miliardë dollarë të ardhura.

Apple shiti 61.2 milionë iPhone, 12.6 milionë iPad dhe 4.5 milionë kompjuterë Mac gjatë tremujorit të fundit. Shefi ekzekutiv i Apple-it, Tim Cook, theksoi se numri i njerëzve që ndërruan telefonat e tyre me një iPhone ishte shumë i lartë gjatë këtij tremujori, duke i kaluar të gjitha pritshmëritë. Ndërsa shitjet e iPad-ve nuk ishin edhe aq të mira sa pritej, transmeton krokodili.

Tremujori tjetër do të jetë po aq i rëndësishëm për Apple-in, me hedhjen në treg të Apple Watch si dhe pajisjes së re Retina Macbook me ekran 12 inç. Kompania shpreson që të ardhurat të arrijnë deri në 48 miliardë dollarë gjatë tremujorit të ardhshëm.