Vllaznia në dorë të një femre, nuk është Barbara Brelusconi!

Nuk bëhet fjalë për Barbarën, të bijën e manjatit italian Silvio Berlusconi. Po për njërën prej dy kandidateve për kreun e Bashkisë së Shkodrës, Keti Bazhdarin dhe Voltana Ademin, të mbështetura nga dy partitë më të mëdha në vend PS dhe PD.

Pas zgjedhjeve lokale të 21 qershorit, me gjasa, njera prej tyre, veç kolltukut të kryetarit aktual Lorenc Luka, do të trashëgojë edhe presidencën e klubit të Vllaznisë.

Kjo e ka ulur disi edhe entuzismin e trajnerit Luan Zmijani, të cilin kur e pyet për projektet dhe të ardhmen e Vllazninë, të shprehet i rezervuar: “Të shohim pas përfundimit të zgjedhjeve lokale!”

Në të vërtetë, në këtë kohë fushate në Shkodër, që të dyja kandidatet, i kanë dhënë vendin e duhur edhe ekipit të futbollit Vllaznia. Ato kanë mendimin dhe janë shprehur, se investimet në këtë sport duhet të jenë më të mëdha dhe po ashtu mbështetja e klubit do të jetë në maksimum nga ana e tyre, transmeton sportal.

Dhe vetëm kaq. Kjo nënkupton qartë, se Vllaznia sh.a. edhe në sezonin e ardhshëm, nuk do të kalojë në duart e ndonjë investitori apo grupi investitorësh, duke mbetur kështu unikal, si i vetmi klub në Superiore, pronë e Bashkisë.

Me sa duket, në stafet elektorale të këtyre dy kandidateve, ose nuk e dinë, ose nuk ka guxuar askush t’u thotë, se në katër sezonet e fundit, Vllaznia, kjo “zonjë e randë” në futbollin shqiptar, që është menaxhuar nga Bashkia, vetëm ka luftuar për mbijetesë. Madje në ndonjë rast, e rëndë për t’u thënë por e vërtetë, edhe është ruajtur e mëshiruar si vlerë dhe pasuri e futbollit kombëtar.

Nuk kemi asgjë kundër një femre në postin e presidentes së një klubi futbolli, çka do të ishte risi e bukur për Vllazninë. Titullit të shkrimit mos i jepni kuptimin pejorativ të shprehjes. Por kohë ka ende për të ndryshuar qëndrimet… Në të mirë të Vllaznisë!