Tifozi special me kërkesë të veçantë

Zemra nuk komandohet dot por kjo është e vlefshme edhe kur bëhet fjalë për skuadrën të cilën e ke mbështetur që në vegjëli. Një kontratë paramartesore për të ndjekur skuadrën e zemrës edhe pse i martuar. Ky është propozimi që i riu italian Gianfranco Borsatti i ka bërë të fejuarës së tij.

Ishte viti 1997 kur bashkëshortja e tij firmosi kontratën dhe sot pas 18 vitesh ajo e ka respektuar. Sot 55 vjeç Gianfranco Borsatti sqaron se Orietta i ka qëndruar besnike premtimit për ta lejuar bashkëshortin të ndiqte çdo ndeshje të skuadrës së Padovas. “Unë pranoj që bashkeshorti im të ndjekë të gjitha ndeshjet e shtëpisë dhe ato të transfertës që bashkëshorti im i konsideron të rëndësishme”, shkruante Orietta 18 vjet më parë në kontratën e saj të martesës.

Në këtë mënyrë, Gianfranco e ka ndjekur skuadrën e Padovas çdo fundjavë por me një kosto të madhe për të. Atij si detyrim i është dashur ta shoqërojë bashkëshorten në koncerte apo mbremje teatrale. Një histori e veçantë që sjell të gërshetuar dashurinë për familjen dhe futbollin sepse familja Borsatti e ka ndarë jetën e saj mes shkallëve të stadiumit dhe çatisë së përbashkët.