Të ardhurat nga shitja e biletave në Europian, donacion për fëmijët e prekur nga sëmundja e Fibrozës Cistike

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) ka vendosur që të gjitha të hollat që do të grumbullohen nga shitja e biletave të FIBA U20 Kampionatit Evropian, Divizioni B – Femrat që do të organizohet në Prishtinë të jepen donacion për fëmijët e prekur nga sëmundja e fibrozës cistike.

Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku dhe nënkryetari i Shoqatës për personat me Fibrozë Cistike, Atdhe Rama të mërkurën e kanë mbajtur një takim dhe janë dakorduar që përveç donacionit të FBK-së për këtë Shoqatë, do të bashkëpunojnë në mënyra të ndryshme gjatë Kampionatit në vetëdijësimin e shoqërisë kosovare për këtë sëmundje.

Çmimi i biletës do të jetë 1.00 Euro (një euro), dhe kjo biletë do të jetë ditore.

Federata e Basketbollit të Kosovës dhe Shoqata për personat me Fibrozë Cistike shpresojnë se kjo kampanjë do të mbështetet nga të gjithë, andaj kërkon nga shoqëria kosovare të bëhen pjesë e saj.

FIBA U20 Kampionati Evropian, Divizioni B – Femrat do të mbahet në Prishtinë prej 3 deri më 11 Gusht 2019.