Suso zbulon të ardhmen e tij

Futbollisti spanjoll e sheh të ardhmen e tij tek Milani. Lojtari i krahut zbulon se kishte mundësi të largohej, por që i mbeti besnik klubit Kuqezi. Ai i pranon kritikat, por shpreson që bashkë me shokët ta këndellin ekipin “Rossoneri”

Suso ishte njëri prej lojtarëve më të kritikuar të Milanit kohëve të fundit.

Madje, spekulohet se futbollisti spanjoll mund të largohet nga “Rossoneri” gjatë afatit kalimtar të janarit.

Por, nëse pyetet përfaqësuesi spanjoll, një gjë e tillë nuk do të ndodhte.

Ish-futbollisti i Liverpoolit insiston se dëshiron të qëndrojë në San Siro dhe zbulon se kishte oferta për t’u larguar, por që i kishte mbetur besnik klubit italian.

“Mua më pëlqen të qëndroj në Milan. Mund të largohesha për dy vjet rresht por nuk e kam bërë këtë. Unë kam qëndruar këtu sepse kështu dëshiroja. Milani më ka marrë pa para dhe duke e konsideruar këtë, mendoj se paraqitjet e mira në Milan ishin të mira”, ka thënë Suso për “La Gazzetta dello Sport”.

Ai e ka një porosi edhe për tifozët Kuqezi, të cilëve synon t’ju futet përsëri në zemër.

“Tifozëve ju them: besoni në mua. Tifozët kanë të drejt të vërshëllejnë, sepse as unë, e as skuadra nuk po luajmë mirë. Mirëpo, jam i bindur se s’kam çka t’i demonstroj askujt. Njerëzit e dinë se çka mund të bëj. Nëse më kritikojnë, është sepse presin që të bëj më shumë dhe ata e dinë se çka mund të bëj. Nëse një lojtar nuk kritikohet, kjo ndodh sepse nga ai nuk presin asgjë”, përfundoi Suso.