Statovci bën ‘hajgare’ me Hysenin e Kurtishajn

Trepça ’89 e ka shkruar emrin e saj në finalen e madhe të ‘Digitalb’ Kupës se Kosovës, ndërsa për kundërshtarë do ta ketë Feronikelin, që për herë të dytë me radhë arrin në këtë pikë.

Sulmuesit e Trepçës ’89, Berat Hyseni e Blerand Kurtishaj, e kanë ftuar mesfushorin e Kosovës së Vushtrrisë, Faruk Statovci në ndeshjen finale që luhet më 14 qershor. Statovci kishte thënë më parë se Trepça ’89 edhe 500 vite nuk do të dal kampion.

Pas shkrimit të publikuar në Gazetaolle.com të Hysenit e Kurtishajt, ka reaguar Faruk Statovci. “Unë kam thënë shkurt e shqip se fituesi i Kupës dhe titullit, dallojnë si nata me ditë. Fituesi i Kupës merr pjesë në Ligën e Evropës dhe kam deklaruar se Ligën e Evropës e kanë të sigurtë gjithmonë (Trepça ’89). Sa i përket titullit kampion nuk do të dalim edhe 500 vjet. U qëndroj prapa këtyre fjalëve. Si titulli ashtu edhe Kupa, e di fortë mirë se çka janë sepse i kam shijuar me klube të ndryshme. Sa i përket ftesës, i falënderoj shumë, por më herët më kanë ftuar fituesi i titullit (Feronikeli), që gjithashtu është në finale të Kupës”, ka thënë Faruk Statovci./GazetaOlle/