Sirena spanjolle për Florenzin, Roma i vendos klauzolën e largimit

Pas De Rossit dhe Tottit, një tjetër “roman” pritet të lërë verdhekuqtë këtë verë. Bëhet fjalë për Alessandro Florenzin, i cili kërkohet me ngulm nga Monchi te Sevilla në kampionatin spanjoll.

Klubi andaluzian ka kërkuar informacion për Florenzin dhe Roma ka vendosur një çmim prej 30 milionë eurosh për kartonin e tij, shifër kjo që mund të ulet disi, kur negociatat të bëhen më konkrete.

Me trajnerin e ri Paulo Fonseca, Roma po kërkon të rinovojë edhe ekipin, për t’i lënë portugezit një organikë lehtësisht të menaxhueshme dhe mbi të gjitha, me elementë që kanë dëshirë të spikatin.

Florenzi u kërkua edhe nga Interi në ditët e para të merkatos verore, por verdhekuqtë janë kundër shitjes së tij në Itali dhe refuzuan, ndaj zikaltrit ndërruan objektiv, duke marrë austriakun Lazaro.