Shqiptarë e serbë “kapen” në faqen zyrtare të AC Milanit

AC Milan e zbuloi në faqen e vet zyrtare në “Facebook” emëroren e 24 futbollistëve me të cilët do të zbarkojë të shtunën në Kosovë për miqësoren ndaj Feronikelit, e cila zhvillohet nesër mbrëma nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Mirëpo, derisa shqiptarët filluan përmes komenteve t’i urojnë mirëseardhje gjigantit evropian në Kosovë, njëkohësisht ndërhynë edhe tifozë serbë të klubit italian, të cilës vazhdojnë t’i shprehin mirëseardhje Milanit në “Serbi”, duke e konsideruar Kosovën si pjesë të Serbisë, raporton Gazeta Express.

Kjo veç çka i ka shtyrë shqiptarët t’i shtojnë komentet duke vendosur flamujë të Kosovës e Shqipërisë dhe duke iu referuar Kosovës si një shteti të ri. Por, ka pasur edhe nga ata shqiptarë që Kosovës i janë referuar si “Shqipëri Veriore”, duke e konsideruar Kosovën si pjesë e Shqipërisë. /GazetaExpress/