Santosi ia kërkon urgjentisht edhe 4.5 milionë euro Barcelonës për shitjen e Neymarit

Klubi brazilian Santos ia ka dërguar një letër urgjente Barcelonës gjatë ditëve të fundit për një ndeshje miqësore që nuk ishte mbajtur pas transferimit të Neymarit. Santos ia ka kërkuar Barcelonës 4.5 milionë euro dëmshpërblim.

Fakti që Neymari nuk luan më për Barcelonës nuk i ka dhënë fund rrëmujës së krijuar nga transferimi i tij nga Santosi në Barcelonë në vitin 2013. Shtatë vjet pas atij transferimi, ka ende probleme të pazgjidhura, transmeton Gazeta Express.

Gazeta spanjolle El Mundo e konfirmoi të martën se Santosi ia ka dërguar një letër urgjente Barcelonës për t’ia kërkuar 4.5 milionë euro dëmshpërblim për ndeshjen miqësore që s’u zhvillua, përkundër që dy klubet ishin marrë vesh për ta zhvilluar atë në marrëveshjen për transferimin e Neymarit.

Klubi brazilian insiston se përkundër që dy klubet u takuan në ndeshjen e vitit 2013 në Joan Gamper Trophy, ata nuk u përballën në ndeshjen miqësore që ishin marrë vesh se do të zhvillohej në Brazil.

Oferta e Santosit prej 4.5 milionë euro është bërë me qëllim që dy palët të mos përfshihen në një tjetër padi ligjore, pasi që Barcelona nuk do të mundë ta zhvillojë më këtë ndeshje kundër Santosit me Neymarin, pasi që ky i fundit u transferua në PSG në vitin 2017.

Santosi ka vazhduar të fitojë para nga shitja e Neymarit edhe pas kalimit të tij nga Barcelona, pasi që 13.4 milionë euro nga shuma për të cilën Neymari shkoi në Paris Saint-Germaini i takoi pikërisht Santosit.

Kjo shumë prej 13.4 milionë eurove sipas Barcelonës ishte e ndarë në: 8.9 milionë euro si pjesë e marrëveshje për 5% të çfarëdo shume për të cilën shitet Neymari dhe 4.5 milionë euro për ndeshjen miqësore, për të cilën tani Santosi po i kërkon sërish paratë.