Rockets dhe Warriors nuk dinë të ndalen

Dy skuadrat e para të Konferencës së Perëndimit vazhdojnë luftën për pozitën numër një.

Houston Rockets, siguruan fitoren e 16-të radhazi këtë herë duke triumfuar në fushën e Oklahoma City Thunder me rezultat 122:112.

Një ndeshje e shkëlqyer për Chris Paul, që realizoi 25 pikë, por nuk mbetet pas edhe James Harden me 23 pikë dhe 11 kërcime. Kurse për Thunder nuk mjaftoi paraqitja e Russell Westbrook që e mbylli takimin me 32 pikë.

Nuk i ndahet Houstonit me vetëm një fitore më pak Golden State, me skuadrën nga Oakland që fitoi 114:101 ndaj Brooklyn Nets, transmeton KosovaPress.

Pesë basketbollistë të kampionëve në fuqi arritën shifra të dyfishta. Stephen Curry rezultoi më i mirë i ndeshjes me 34 pikë, ndërsa Kevin Durant shtoi edhe 19 pikë të tjera për Warriors, që qysh në çerekun e parë të lojës me një seri prej 25:0 treguan që nuk do të lëshonin pe ndaj ekipit nga New York.

Në Lindje vijon forma e shkëlqyer e skuadrës kryesuese Toronto Raptors, që i shkaktoi humbjen 45-të sezonale Atlanta Hawks, ekipit më të dobët të kësaj Konference, me rezultatin 106: 90.

Më i miri i ndeshjes në “Air Canada Center” ishte DeMar DeRozan me 25 pikë.

Fitoren e shtatë në dhjetë ndeshjet e fundit e realizoi, Philadelphia 76ers, që mundi 128:114, skuadrën e Charlotte Hornets. Skuadrës vendase nuk i mjaftuan 30 pikët e Dwight Howard, ndërsa për 76-ers më i miri rezultoi Robert Covington me 22 pikë.