Rikthehet San Antonio

San Antonio Spurs rikthehet në lojë. Kampionët në fuqi të NBA barazuan llogaritë me Los Angeles Clippers në përballjen e dytë play-off pasi arritën të fitonin 111-107 në “Staples Center”. Koha shtesë foli në favor të skuadrës së Tim Duncan dhe Kawhi Leonard.

Për Spursat ishte Mills ai që shënoi dy goshat vendimtarë nga gjuajtja e lirë në sekondat e fundit, ndërsa në krahun tjetër Clippers u penalizuan nga Chris Paul, tentativa e të cilit rezultoi e pasuksesshme. Për skuadrën teksane, Duncan realizoi 28 pikë dhe Leonard shtoi 23 të tjera, ndërsa Blake Griffin me 29 pikë dhe De Andre Jordan me 20 të tjera nuk arritën t’i fiksonin shifrat në 2-0 duke lënë të hapur çështjen e kualifikimit.

Po në perëndim, Memphis triumfoi edhe në sfidën e dytë kundër Portland 97-82. Conley dhe Lee u shfaqën të papërmbajtshëm me nga 18 pikë, ndërsa për ekipin nga Oregoni nuk mjaftuan 24 pikët e LaMarcus Aldridge. Dy sfidat e radhës do të zhvillohen në fushën e Portland, por nëse Memphis arrin një tjetër fitore atëherë llogaritë do të mbyllen përfundimisht. Në Lindje është Atlanta skuadra që po bën ligjin. 2-0 imponohet ekiupi nga Georgia ndaj Brooklyn Nets. Millsap me 19 pikë i dha një dorë skuadrës në suksesin 96-91 që i fikson shifrat në 2-0.