“Racizmi, akuzë e fortë në CAS”

Në një intervistë për Top Channel në mbrëmje, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka folur edhe për një detaj të ri, që është diskutuar gjatë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë. Ndryshe nga Gjykata sportive e UEFA-s, në CAS është diskutuar për herë të parë edhe çështja e racizimit, një pikë e fortë kjo që i bashkëngjitet fakteve të tjera, se përse kjo ndeshje nuk mund të vazhdohej.

“Dëshmitë kanë qenë pothuajse të qarta se kjo ishte një ndeshje që nuk duhej vazhduar. Ajo që nuk u mor parasysh në Apelin e UEFA-s, është pikërisht akuza jonë për racizëm, e cila është rikthyer sot këtu, në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv. Ne kemi pasur edhe një profesor të kriminalistikës, i cili ka argumentuar që ishte e pamundur të vazhdohej ajo ndeshje”, u shpreh ndërmjet të tjerash presidenti Duka. /TCH/