Qeveria greke pezullon kampionatin kombëtar të futbollit

Superliga greke është pezulluar për shkak të ngjarjeve në ndeshjen e futbollit mes PAOK-ut të Selanikut dhe AEK-ut të Athinës, deklaroi sot zëvendësministri i Sportit, Giorgos Vassiliadis, pasi u takua me kryeministrin Aleksis Cipras.

Ndeshja mes PAOK-ut dhe AEK-ut në Tumba, të dielën në mbrëmje, u ndërpre pasi një gol i dyshimtë u realizua në minutën e 90-të dhe shkaktoi reagimin e presidentit të PAOK-ut, Ivan Savvidis, i cili hyri në fushë i rrethuar nga truprojat dhe mbante në dorë një armë zjarri.

Forcat e sigurisë së Selanikut njoftuan sot se janë në kërkim të presidentit të ekipit të futbollit PAOK-u i Selanikut, Ivan Savvidis për ta arrestuar atë për shkelje të ligjeve sportive.

Vassiliadis dërgoi një mesazh ku thuhej se ”superliga nuk do të fillojë deri sa të ketë një kuadër rregullash të ri dhe të qartë si dhe kushtet që janë pranuar nga të gjithë” si dhe ”do të merren masat që ekipi kombëtar të mos preket nga ky vendim”.