Punimet në përfundim, Superligës i shtohet edhe një stadium i mirë

Punët në kompletimin e infrastrukturës përcjellëse në stadium “Zahir Pajaziti” në Podujevë, tribunat dhe zhveshtoret, pritet të përfundojnë deri në fillimin e kampionatit të ri futbollistik. Kështu pret kryetari i Podujevës, Agim Veliu.
 
Ai, me Ibër Alajn, drejtor i Departamentit të Sportit në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit (MKRS), vizituan sot këtë stadium, ku janë duke u realizuar punimet në ndërtimin e tribunave dhe infrastrukturës përcjellëse.
Sipas njoftimit për media, ata u ndanë të kënaqur me dinamikën e zhvillimit të punimeve në realizimin e këtij projekti.

Kryetari i Podujevës, Veliu, u shpreh optimist se punët në kompletimin e infrastrukturës përcjellëse në stadium, tribunat dhe zhveshtoret, do të përfundojnë deri në fillimin e kampionatit të ri futbollistik.

“Pas ndërtimit të fushës me bari sintetik, në stadium u krijuan kushtet për lojëra cilësore, kurse me finalizimin e ndërtimit të tribunave shikuesve u ofrohet komoditet, që në sezonin e ardhshëm futbollistik të përcjellin ndeshjet e FC ‘Llapi’ në këtë stadium modern”, tha kryetari Veliu.

Ndërtimi i tribunave dhe infrastrukturës përcjellëse në Stadiumin “Zahir Pajaziti” është investim i përbashkët i MKRS-së, Komunës së Podujevës dhe Federatës së Futbollit të Kosovës.