Provat e Serbisë për Arbitrazhin

Federata e Futbollit të Serbisë do ta paraqesë sot prova të reja në seancën dëgjimore të Gjykatës së Arbitrazhit në Lozanë, rreth ndërprerjes së ndeshjes Serbi-Shqipëri.

Sekretari i përgjithshëm i Federatës serbe, Zoran Lakoviç, ka deklaruar para nisjes për në Lozanë se delegacioni serb pret një gjykim të drejtë të gjykatës, duke aluduar në fitoren e Serbisë.

“Ne do të paraqesim prova të reja në lidhje me ndërprerjen e lojës, që kanë të bëjë me flamurin e “Shqipërisë së Madhe”. Ky provokim ishte i paparë në fushat e futbollit. Qëndrimi ynë thelbësor është që UEFA t’ia jep Serbisë rezultatin zyrtar të ndeshjes dhe kështu të marrim tri pikë. Unë besoj në fuqinë ligjore të gjykatës”, deklaroi Lakoviç për “Novosti”.

Vendimi përfundimtar pritet të merret nesër, mirëpo ka frikë që Gjykata nuk ka prova të mjaftueshme, gjë e cila do ta shtynte vendimin për në muajin e ardhshëm. /Gazeta Tribuna