Premtojnë spektakël

Theranda dhe Prishtina Volley, do të luajnë në finale të Kupës së Kosovës në volejboll, takim që do të luhet të premten prej orës 15:10, në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në kryeqytet.

Në një konferencë të mbajtur në Shtëpinë e Sporteve, të dy trajnerët e skuadrave kanë premtuar spektakël për të gjithë të pranishmit.

Trajneri i Therandës, Xhavit Mustafa, ka deklaruara se takimi kundër Prishtina Volley do të jetë një përballje e fortë dhe të gjithë të pranishmit do të ndahen të kënaqur me paraqitjen e ekipeve. Ai ka nënvizuar se çdo trajner dëshiron të fitojë trofe dhe të njëjtën gjë synon ta bëjë edhe ai të premten. Sipas tij, edhe nëse ekipi therandas humbet, nuk është fundi i botës.

Në anën tjetër, trajneri i Prishtina Volley, Xhavit Kajtazi, ka thënë se ka respekt për ekipin kundërshtarë, pasi sipas tij, bëhet fjalë për një skuadër cilësore. Ai ka shtuar se plani i skuadrës që po e drejton, është përmbushur në përpikëri dhe suksesi në Kupë do të ishte “qershia mbi tortë” e gjithë sezonit.

Kujtojmë që Prishtina Volley është themeluar që një vit dhe ka arritur të hyjë në histori të volejbollit të Kosovës, duke u shpallë kampion në Ligën e Parë, si dhe përveç që e ka siguruar plasmanin në finale të Kupës, e ka siguruar edhe pjesëmarrjen në Superligën e Kosovës prej edicionit të ri.

Ndeshja ndërmjet Therandës dhe Prishtina Volley, do të luhet të premten prej orës 15:10. /Gazeta Tribuna/