Pirlo: Isha pranë kalimit te Barcelona

Ish-mesfushori i kombëtares italiane ka rrëfyer për bisedimet me Barcelonën.

Andrea Pirlo para pak javësh i ka dhënë fund karrierës si futbollist, ku pjesën më të madhe e ka kaluar në Serie A te klubet si Inter, Milan dhe Juventus.

Pirlo tregon që në vitin 2010 sa ishte pjesë e Milanit ka qenë pranë transferimit te Barcelona në Spanjë, në shkëmbim me Zlatan Ibrahimoviq që po atë vit i ishte bashkuar rossonerëve.

“Milani po negocionte me Barcelonën për transferimin e Ibrahimoviq, ndërsa unë pritej që të shkoja në Camp Nou”, ka thënë 38-vjeçari për Sky Sport Italia.

“Në fund u zgjidh gjithçka dhe Ibra erdhi te Milani. Do të ishte një eksperiencë e mirë për mua po të shkoja në Barcelonë, por edhe te Milani isha i lumtur. Nuk e di nëse do ta pranoja këtë transferim më”, ka theksuar ai.