Për Skënderbeun nuk mjaftoj vetëm dënimi, rrezikon edhe një problem tjetër madhor…

Skënderbeu u dënua me 10 vite mospjesëmarrje në Europë dhe 1 milion euro gjobë.

Vendimi nuk ndryshoi as në KAS, që është edhe shkalla e fundit e gjykimit sportiv, çka do të thotë se tani klubi i Skënderbeut duhet të paguajë edhe 1 milion euro gjobë.

Këtu nis gjithë problemi… A mundet që pas gjithë këtij kalvari me shpenzime të mëdha, Skënderbeu të paguajë edhe gjobën 1 milion euro? Është një shifër pothuajse sa buxheti vjetor i tetë herë kampionëve të Shqipërisë.

Nëse bardhekuqtë do të vazhdojnë të garojnë në elitën e futbollit shqiptar, pra të luajnë në Kategorinë Superiore, atëherë do të jenë të detyruar ta paguajnë, shkruan “Panorama Sport”.

Në varësi të afateve kohore që do të vendosë UEFA, por ama do të jenë të detyruar ta paguajnë. Nëse nuk e shlyejnë, atëherë ndiqet procedura standarde me heqje pikësh deri në rrëzim nga kategoria.

E thënë shkurt: Nëse Skënderbeu do të luajë në Superiore, atëherë duhet të paguajë edhe 1 milion euro gjobë. Nëse nuk e likuidon, rrezikon ta zbresin nga kategoria.