Pas Ligës së Kampionëve dhe të Evropës UEFA krijon edhe një turne

Pas Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës është krijuar edhe një turne i tretë për klube, raporton BBC.

Këtë e ka konfirmuar sot Shtëpia Evropiane e Futbollit, e cila ka konfirmuar se është formuar “Liga e Evropës 2” që do të nisë nga viti 2021, transmeton Koha.net.

Ky turne do të zhvillohet përkrah Ligës së Evropës, pra ditën e enjte.

Vendi i shtatë nga Premier Liga do të hyjë në “play-off” të këtij turneu të ri.

Si pjesë e ciklit 2021-2024 të UEFA-së, Liga e Evropës do të përgjysmohet në 32 klube, me një play-off shtesë ndërmjet ekipeve në fazën e grupeve dhe 16 më të mirave.

Nga kjo pritet të përfitojnë vende më të vogla të Evropës. Në vend se të luajnë në fazat e hershme kualifikuese të Ligës së Evropës klubet do të hyjnë direkt në “Ligën e Evropës 2”.

Kampioni i secilit shtet sërish do të hynte në Ligën e Kampionëve, por vetëm ekipet nga 15 shtetet e ranguara më së miri do të shkonin në fazën e grupeve apo në kualifikime të Ligës së Evropës.

Liga e Evropës 2 do të kishte format të njëjtë – me tetë grupe me nga katër ekipe me fituesit që hyjnë në 16 më të mirat. Përpara atij raundi ekipet që përfundojnë në vendin e dytë në grup, dhe ato që përfundojnë të tretët në grup në Ligën e Evropës do të luajnë në play-off.

Fituesi i turneut do të kualifikohej direkt për në Ligën e Evropës në sezonin tjetër. Formati i Ligës së Kampionëve nuk do të ndryshojë.