Pas dënimit të Jashanicës, reagon Skënderbeu

Mbrojtësi i përfaqësueses kosovare është dënuar me dy vite mos lojë.

Klubi i Skënderbeut ka njoftuar se Komisioni i Apelit në UEFA ka lënë në fuqi pezullimin dy vjeçar për mbrojtësin Bajram Jashanica, që u gjet në përdorim të substancave të ndaluara.

Korçarët theksuan se nuk janë të bindur me vendimin dhe se do ta apelojnë atë menjëherë në CAS, ndërsa thonë se i kanë ofruar gjithë mbështetjen e nevojshme futbollistit, që nuk është aspak fajtor në këtë situatë.

Ja deklarata e plotë e klubit e Skënderbeut:

Komisioni i Apelit i UEFA-s vendosi lënien në fuqi të masës disiplinore “pezullim nga aktiviteti” për një periudhë 2-vjeçare për lojtarin e KF Skënderbeut, Bajram Jashanica.

Pavaresisht argumenteve dhe dëshmive të dhëna në seancë gjyqesorë nga ana e lojtarit dhe personave të tjerë të lidhur me çështjen, organi juridik vendosi mospranimin e kërkesës të paraqitur nga Bajram Jashanica për uljen e sanksionit.

Bëjmë me dije se aktualisht, palët janë në pritje për disponimin nga ana e Komisionit të Apelit të UEFA-s të vendimit integral, i cili do të ankimohet në CAS.

KF Skënderbeu i ka ofruar lojtarit të gjithë mbështetjen e mundshme gjatë kësaj periudhe të vështirë për të dhe beson se masa disiplinore është disproporcionale me rrethanat e ngjarjes dhe me shkallën e përgjegjësisë të Bajram Jashanica.

Për këtë arsye, në çdo formë dhe me të gjitha mjetet në dispozicion, do të kërkojmë vendosjen e një mase disiplinore më të ulët, për garantimin e vijueshmerisë së karrierës të lojtarit tonë.