Pa Curryn në ekip, Warriors humbin përsëri

Kampionët në fuqi këtë herë u ndalën nga Minnesota Timberwolves.

Në mungesë të Stephen Curryt, për Golden State Warriors nuk mjaftoi mbrëmja magjike e Kevin Durant, që shënoi plot 39 pikë dhe kërcime në parketin e Minnesota Timberwolves.

Vendasit fituan 109:103, duke ia shkaktuar Warriors humbjen e dytë radhazi. Për Minnestotan spikati Karl-Anthony Towns me 31 pikë dhe plot 16 kërcime.

Houston Rockets rikthehet te fitorja 105:82 ndaj Dallas Mavericks pas disfatës që pësoi me Toronto Raptors.

Në mungesë të James Harden, që ka një lëndim në gju, skenën e rrëmbeu Eric Gordon, që ishte më i miri mbi parket me 26 pikë, ndërsa Chris Paul shënoi 24 pikë të tjera dhe dha 12 asistime për Rockets, transmeton KosovaPress.

Për Mavericks u mundua të bënte diçka Dwight Powell, që e mbylli takimin me 20 pikë.

DeMar DeRozan mbeti disi në hije në përballjen mes Toronto Raptors dhe New York Nicks, megjithatë fitorja e kanadezëve nuk u vu në asnjë moment në diskutim. 106:132 u mbyll kjo përballje në Madison Square Garden, ku spikatën lojtarët e stolit të Raptors: Miles, Poeltl, VanVleet e Wright, që realizuan shifra të dyfishta. Hardaway s’mund të bënte më shumë për Knicks, edhe pse rezultoi shënuesi më i mirë me 25 pikë.

Përballje plot rivalitet mes Boston Celtic dhe Indiana Pacers në “TD Garden”, ku mysafirët arritën të fitonin me vetëm dy pikë dallim, 99:97, duke i rrëmbyer vendin e tretë Cleveland Cavaliers në Lindje. Oladipo me 27 pikë ishte basketbollisti kryesor i Pacers në këtë fitore.

Vjen humbja e dytë radhazi për Cleveland Cavaliers, që u dorëzua 127:113 përballë Los Angeles Lakers në Staples Center. LeBron James shënoi 24 pikë, por paraqitja e tij nuk mjaftoi përballë Julius Randle të kalifornianëve, që kishte statistikat më të mira, prej 36 pikëve, 7 asistimeve dhe 14 kërcimeve.