Obodo lirohet pas 4 orësh pengmarrje

Ish-mesfushori i Perugias dhe Lecces në Serinë A italiane, Christian Obodo ka kaluar momente tmerri pasditen e sotme, pasi është rrëmbyer, grabitur dhe mbajtur peng përreth 4 orë në vendlindjen e tij, Nigeri.

Pasi u la i lirë, 36-vjeçari tregoi me detaje ngjarjen, sesi pasi e kishin grabitur, e kishin futur më pas për plot 4 orë në bagazhin e një makine dhe e kishin dërguar në një pyll, para se ta lironin.

“Ishte një situatë e pakëndshme, pasi qëndrova për 4 orë në bagazhin e një makine, edhe pse temperaturat ishin shumë të larta. Rrëmbyesit më treguan se si kishin humbur para në baste, në një ndeshje futbolli të Nigerisë. Nuk më dhunuan e nuk më kërcënuan, por nuk e kuptoj pse dikush dëshiron që unë të përjetoj situata të tilla”, u shpreh Obodo.
Kjo nuk është hera e parë që 36-vjeçari bie pre e rrëmbimeve të tilla, pasi një situatë të ngjashme përjetoi edhe në vitin 2012, ndaj deklaroi se tani po merr në konsideratë largimin në emigrim.