Njeriu i Adem Grabovcit dhe Astrit Haraqisë mbledh nënshkrimet për rrëzimin e Agim Ademit

Në kohën kur Kosova po përgatitet për dy ndeshjet më të rëndësishme në historinë e saj, të cilat mund ta dërgojnë në Kampionat Evropian, në Federatën e Futbollit ka nisur një ‘revolucion’. Arianit Ahmeti, zëvendëssekretar i FFK’së, i mbështetur nga disa figura politike, ka filluar të mbledhë nënshkrime për rrëzimin e kryetarit Agim Ademi, të cilit po i kontestohet mandati, ndonëse FIFA dhe UEFA e shohin ndryshe.  

Në një kohë kur garat kampionale në futbollin kosovar kanë hyrë në vlugun e tyre, e po ashtu në një kohë kur Kombëtarja e Kosovës po iu afrohet ndeshjeve vendimtare për kualifikim në “Euro 2020” përmes Ligës së Kombeve, në Federatën e Futbollit të Kosovës ka nisur një kryengritje e disa zyrtarëve, të përkrahur nga disa figura politike jashtë federatës. Një argat në këtë drejtim e ka dhënë edhe Zyra Ligjore e Ministrisë së Sportit, të cilët e kanë dhënë një interpretim ligjor të një grupi opozitarë të FFK-së, të cilët kërkojnë zgjedhje të reja dhe të shpejta në FFK.

Sipas këtij interpretimi të MKRS-së, FFK-ja duhet t’u nënshtrohet zgjedhjeve sepse ka identifikuar shkelje ligjore në Kuvendin e mbajtur më 6 korrik të vitit 2018, kur Agim Ademi ishte zgjedhur pasues i Fadil Vokrrit të ndjerë.

Menjëherë pas kësaj zëvendëssekretari i FFK-së, Arianit Ahmeti, në një prononcim për Gazetën Express e ka konfirmuar kandidaturën e tij për kryetar duke kërkuar zgjedhje të shpejta.

Sipas Ahmetit dhe grupit të tij opozitar, i ndjeri Fadil Vokrri në vitin 2016 kishte fituar mandat katërvjeçar. Zgjedhja e Agim Ademit në vitin 2018 ishte vazhdim i mandatit të Vokrrit, të cilin Ademi duhet ta kryej në janar të vitit 2020 për t’iu hapur rrugë zgjedhjeve të reja.

Por, Agim Ademi insiston se në vitin 2018 ka marrë mandat katërvjeçar – deri në vitin 2022.

“Përkundër sukseseve të jashtëzakonshme të futbollit kosovar, grupet e njohura për opinion që s’kanë të bëjnë fare me futbollin, e të cilët po e sakrifikojnë edhe një ”karrierist” të paskrupullt nga Administrata, vazhdojnë të bëjnë fushatë të egër të mbledhjes së nënshkrimeve, kinse për të propozuar kandidat për kryetar”, thuhet në një deklaratë të FFK-së, ku veç çka s’i përmendet emri Arianit Ahmetit.

Shtëpia e futbollit thotë se Ademi është i paprekshëm deri në vitin 2022.

“Kryetari i FFK-së, z. Agim Ademi është zgjedhur më 6 korrik 2018, për mandat katërvjeçar, i votuar në mënyrë unanime nga të gjithë delegatët e Kuvendit pa asnjë vote kundër. Procesverbali i është dërguar UEFA-s, FIFA-s, MKRS, Ministrisë së Administratës Publike dhe KOK-ut. Në Kuvend ishin prezent delegatë nga UEFA, nga FIFA, MKRS, KOK, Federatat tjera etj. dhe kanë raportuar për një Kuvend jashtëzakonisht të qetë, të rregullt ligjërisht dhe pa asnjë kundërshtim apo vërejtje. Raporti i delegatëve të FIFA-s dhe UEFA-s si dhe urimi i Kryetarit të FIFA-s dhe UEFA-s përmend qartë mandatin katërvjeçar dhe uron suksese në punën e tij”, thekson FFK-ja e Agim Ademit, ku thuhet se në vitin e ardhshëm do të bëhet vetëm rizgjedhja e anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së.

Mirëpo, grupi opozitar, tashmë i kryesuar nga vet Arianit Ahmeti thotë të kundërtën. Ahmeti sot i bëri thirrje Agim Ademit t’iu hap rrugë zgjedhjeve të reja konform asaj që e tha Ministria e Sportit.

“Sot edhe Zyra Ligjore e MKRS-së e tha fjalën e vet dhe konfirmoi shkeljen e pikës 3 të nenit 39 në Asamblenë e zgjedhjes së Agim Ademit. Po ashtu Komiteti Olimpik i Kosovës ka konfirmuar se viti 2020 i takon ciklit olimpik kur të gjitha federatat do t’u nënshtrohen zgjedhjeve. Kështu që 15 janari do të duhej të ishte fundi i mandatit të Agim Ademit. Kurse, sekretari Eroll Salihu po bën shkelje sepse nuk po e thërret Kuvendin Zgjedhor, i cili duhet të ftohet dy muaj më herët, pra deri tash është dashtë të ftohet”, tha Ahmeti për Gazetën Express, duke e konfirmuar kandidaturën e tij për kryetar.

FFK ia zbulon dallaveret e Arianit Ahmetit, e ndërlidh me figura të mëdha politike, si me Adem Grabovcin e Astrit Haraqijën, etj.

Duke e parë aksionin e Arianit Ahmetit për të mbledhur nënshkrime të delegatëve rreth zgjedhjeve të reja, Federata e Futbollit e Kosovës, respektivisht drejtuesit e saj, ndihen të tradhtuar dhe të prerë në besë nga Arianit Ahmeti, i cili vazhdon ta mbajë postin e zëvendëssekretarit të FFK-së.

Anëtarësimi i Kosovës në UEFA e FIFA në vitin 2016 ia kishte imponuar FFK-së zgjerimin e Administratës dhe shtimin e numrit të punonjësve. Në atë valë të punësimeve në FFK kishte hyrë edhe Ahmeti më 1 janar të vitit 2017. Ahmeti me profesion është avokat, kurse dikur ishte lojtar i FC Prishtinës, me të cilin klub në ndërkohë ishte përplasur keq. FC Prishtina ishte opozitë e madhe e FFK-së në atë kohë, kurse Ahmetin e kishte akuzuar se është punësuar dhe është ngritur me pozitë në FFK përmes intervenimit të politikanit Astrit Haraqija, me të cilin Ahmeti është shumë i afërt.

Por, vetëm tash në FFK pranojnë se Ahmeti kishte ardhur në FFK me propozim të Haraqijës.

Burime të besueshme të Gazetës Express brenda FFK-së thonë Ahmeti ua ka bërë të qartë drejtuesve të federatës se është vënë në lëvizje për të mbledhur nënshkrime kundër Ademit dhe për t’ia mësy vet postit të kryetarit.

Përkundër kësaj, dorëheqje nuk ka dhënë nga posti i zëvendëssekretarit, thonë burimet, sipas të cilave Ahmeti po vazhdon të marrë rrogë mbi 1500 euro në muaj dhe duke vazhduar të punojë kundër FFK-së nga brenda institucionit.

Në FFK thonë se Astrit Haraqija tashmë është përkrahësi më i vogël politik i Arianit Ahmetit. Sipas këtyre burimeve, Ahmeti ka fituar mbështetje shumë më të madhe politike sepse është parë bashkë me figura shumë të larta politike. Sipas burimeve brenda FFK-së, Ahmeti tashmë është i lidhur me politikanë të fortë nga Partia Demokratike e Kosovës, madje edhe me Adem Grabovcin, i cili është i përfshirë në aferën “Pronto”.

Në FFK thonë se Ahmeti ka filluar të mbledh nënshkrime për ta rrëzuar Ademin dhe për t’u bërë vet kryetar. Por, sipas këtyre burimeve, ai nuk i ka mbi 7 nënshkrime, por që klubeve po u thotë se i ka mbledhur nënshkrimet e nevojshme për t’i bindur që t’i japin përkrahje.

Arianit Ahmeti: I kam 41 nënshkrime, jemi nga i njëjti fshat me Adem Grabovcin, por s’jam i politikës

Arianit Ahmeti, i kontaktuar nga Express, ka folur për herë të parë rreth përfshirjes së tij të thellë në situatën e krijuar. Ai tha se ndihet krenar që në FFK ka hyrë me ftesë të legjendës Fadil Vokrri. Kurse, e i mohoi akuzat nga FFK.

“Pse të jap dorëheqje nga FFK kur çdo ditë kam shkuar i pari në punë dhe kam dal i fundit. Unë kam marrë përkrahje nga një grup i madh i klubeve dhe delegatëve dhe është normale të kandidojë nëse jam i gatshëm. Unë nuk e kam kërkuar asnjë nënshkrim. Janë klubet ato që e kërkojnë kandidimin tim duke më dhënë përkrahje të madhe. Nga 59 delegatë mi kanë tubuar 41 nënshkrime. Për kandidim mjaftojnë 15 nënshkrime. Kështu më kanë thënë, se i kam 41 nënshkrime”, tha ai.

“Adem Grabovcin e kam nga fshati im. Nuk jam me asnjë parti. Njëherë thoshin se jam i LDK-së, pastaj i AAK-së, ndërsa tash i PDK-së. Vetëm me Listën “Srpska” nuk më kanë bërë akoma. S’kam të bëjë me politikë”, tha ai.

Adem Grabovci: Nuk e njoh Arianit Ahmetin, se di çka po ndodh në FFK

I kontaktuar nga Gazeta Express, Adem Grabovci është munduar të bind se nuk ka lidhje me zhvillimet që po ndodhin në FFK, madje nuk dëshironte t’iu përgjigjej as pretendimeve të FFK-së se ai është parë duke pirë kafe me Arianit Ahmetin që tashmë po e kërkon postin e kryetarit. “Nuk kam lidhje me sport. Mund të flas për skijim apo not, por as idenë nuk e kam se çka po ndodh në FFK. Nuk e di as kush është, as kush po donë me u bë, as kur ka zgjedhje dhe asgjë”, tha Grabovci i cili u pyet nga  Express se a e njeh Arianit Ahmetin.

“Kush është ai, idenë nuk e kam. Ndoshta e njoh por tash nuk po më kujtohet. Sinqerisht nuk di asgjë se çka po ndodh”, tha ai.

Gazeta Express ka provuar të kontaktojë gjatë gjithë ditës edhe me Astrit Haraqijën, të cilin FFK e sheh duke e përkrahur Arianit Ahmetin kundër Agim Ademit. Por, kontakti me të ishte i pamundur.

FFK: Ahmeti nuk i ka as 7 nënshkrime, po i mashtron klubet e delegatët

Në FFK janë të sigurt se Agim Ademi është njeriu më i preferuar i delegatëve të FFK-së për ta udhëheq futbollin. Por, e akuzojnë Arianit Ahmetin se po i frikëson delegatët dhe klubet duke u thënë se i ka tubuar në numër të madh nënshkrimet me qëllim që të përfitojë nënshkrime nga klubet dhe delegatët e frikësuar. Por, FFK bënë thirrje te delegatët e klubet të mos bien pre e mashtrimeve sepse Ahmeti nuk i ka më shumë se 7 nënshkrime.

Kosova mund të sanksionohet nga UEFA e FIFA!

Implikimi i Ministrisë së Sportit, ku Kujtim Gashi i PDK-së është ministër në largim, në situatën e krijuar në futbollin kosovar mund t’i kushtojë shumë shtrenjtë Kosovës. Në rast se mbahet Kuvend Zgjedhor, pa pëlqimin e delegatëve, por me ndërhyrje politike, rrëzimi i Agim Ademit mund ta shtyjë UEFA-n e FIFA-n të ndërhyjë deri një pezullim të Kosovës sepse këto dy organizata nuk tolerojnë ndërhyrje politike në federatat anëtare të saj, të cilat janë autonome në të gjitha shtetet nga politika. Ndërhyrje të tilla të UEFA-s e FIFA-s ka pasur plotë. Njëherë edhe në Shqipëri. Për këtë Agim Ademi ka paralajmëruar disa herë duke kujtuar se mandati i tij katërvjeçar është i verifikuar nga UEFA dhe FIFA.