NBA: Doncic e fiton duelin me James

Në ndeshjen më të rëndësishme të mbrëmjes në NBA, Dallas Mavericks iu imponuan 100-104 Los Angeles Lakers, falë të zakonshmit Luka Doncic, që në njëfarë mënyrë fitoi edhe sfidën brenda sfidës me LeBron James.

Talenti 20-vjeçar slloven për pak realizoi “triple double”, pasi e mbylli takimin me 27 pikë, 10 asiste dhe 9 “rebound”, përkundrejt 25 pikëve, 9 asisteve dhe 8 rikuperimeve të “Mbretit” James. Aq sa Doncic, pra 27 pikë, realizoi edhe Anthony Davis, por që nuk mjaftuan për të shmangur humbjen e kalifornianëve ndaj Mavericks.

Vjen disfata e 17-të sezonale për Golden State Warriors, që u gjunjëzuan 100-96 në parketin e Orlando Magic. Mbrëmje fantastike për Evan Fournier, autor i 32 pikëve, ndërsa për finalistët e sezonit të kaluar më i miri rezultoi Glenn Robinson me vetëm 19 pikë.

Ndryshe nga Warriors, kampionët në fuqi të Toronto Raptors u shfaqën plot autoritet në përballjen me Utah Jazz, duke fituar bindshëm 130-110, falë një prove të shkëlqyer të Pascal Siakam, autor i 35 pikëve. Për Jazz nuk mjaftuan 20 pikët e Mike Conley dhe 19 nga stoli të Jeff Green.

Fitore me prepotencë 150-125 e Los Angeles Clippers ndaj Washington Wizards në “Staples Center”, në një përballje që i ngjau më shumë një “All Star Game”, pasi askush nuk mendoi për mbrojtjen. Kawhi Leonard dhe Paul George e mbyllën ndeshjen respektivisht me 34 dhe 31 pikë, ndërsa Montrezl Harrell la shenjën e tij me 23 pikë dhe 15 “rebound”. Për Wizards shënoi 30 pikë Rui Hachimura, ndërsa Bradley Beal u ndal me 23 pikë e 11 asiste.

Nuk pati shumë histori përballja mes Detroit Pistons  dhe San Antonio Spurs, që u mbyll me diferencë të theksuar pikësh 132-98 për skuadrën nga Michigani. Plot 7 basketbollistë të Pistons arritën shifra të dyfishta pikësh, ku spikati Christian Wood me 28 pikë e 10 “rebound”. Në radhët e teksanëve DeMar DeRozan shënoi vetëm 20 pikë.

Rezultatet:

Brooklyn Nets-Miami Heat 106-109

New York Knicks-Boston Celtics 104-113

Minnesota Timberwolves-Memphis Grizzlies 107-115

Los Angeles Lakers-Dallas Mavericks 100-114

Detroit Pistons-San Antonio Spurs 132-98

New Orleans Pelicans-Oklahoma City Thunder 104-107

Orlando Magic-Golden State Warriors 100-96

Toronto Raptors-Utah Jazz 130-110

Los Angeles Clippers-Washington Wizards 150-125