Myftaraj bën kallëzimin penal në prokurori ndaj Ballist Morinës

Gazetari Kastriot Myftaraj, nuk e ka ndërmend të heq dorë deri te zbardhja e së vërtetës së 14 tetorit 2014, hedhja e dronit në ndeshjen Serbi – Shqipëri.

Myftaraj i ka dërguar një kallzim penal Prokurorisë së Tiranës, ndaj shtetasit shqiptar Ismail Morina (Ballisti).

Këtë Myftaraj e ka konfirmuar në llogarinë e tij në Facebook.

Ky është shkrimi i plotë:

Letër e hapur Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë mbi hetimin e çështjes së dronit në ndeshjen Serbi-Shqipëri: Urdhëroni që çështjen ta hetojë drejtpërdrejt Prokuroria e Përgjithshme, keni bashkëpunimin tim të plotë.

Z. Prokuror i Përgjithshëm!

Unë i kam dërguar Prokurorisë së Tiranës një kallzim penal ndaj shtetasit shqiptar Ismail Morinaj, i njohur publikisht si Ballist Morina, për çështjen e dronit me banner në stadiumin “Partizani” në ndeshjen Serbi-Shqipëri, në 14 tetor 2014. Unë kam kërkuar që ndaj Morinajt të nisë procedimi penal penal për tre vepra penale: 1) “Vepra me qëllime terroriste”, parashikuar nga Neni 230 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë; 2) “Provokimi i luftës”, e parashikuar nga neni 211 i Kodit Penal; 3) “Poshtërimi botërisht i Republikës dhe i simboleve të saj”, parashikuar nga neni 268 i Kodit Penal. Kallzimi është regjistruar në Regjistrin Penal të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, por për shkak të rëndësisë së çështjes dua t’ ju kërkoj që hetimet për këtë çështje t’ i marrë përsipër kryesisht Prokuroria e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë. Kjo gjë duhet të bëhet për arsyet e mëposhtme:
Dërgimi i dronit me banner në stadium gjatë ndeshjes, përbën një vepër me qëllime terroriste, jo vetëm nga pikëpamja e ligjit penal serb, por edhe nga pikëpamja e ligjit penal shqiptar. Duke pasur parasysh përmbajtjen e bannerit ai përbën një objekt me të cilin është synuar që të shkaktohet ose të simulohet shkaktimi i destabilizimit thelbësor të strukturave sociale të një shteti tjetër, në këtë rast Serbisë, si dhe të shtetit shqiptar., siç do ta shpjegoj më poshtë. Banneri i dronit ishte pikërisht mjeti i përdorur për të arritur këtë destabilizim thelbësor të strukturave sociale, në kuptim të nenit Neni 230 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, “Vepra me qëllime terroriste”. Neni 230 i Kodit Penal nuk kërkon që të kenë ardhur domosdoshmërisht pasojat e veprës penale që ajo të quhet e kryer. Neni 230 i Kodit Penal është i formuluar në atë mënyrë që vepra penale quhet e konsumuar pavarësisht ardhjes së pasojave.
Nga kjo pikëpamje duhet bërë dhe analiza e ngjarjes, e provave dhe fakteve. Banneri i dronit meriton një analizë të thellë se ai ishte ideuar me një simbolikë të mirëmenduar terroriste. Qëllimi i autorit të bannerit ka qenë qartësisht i dyfishtë, për të shkaktuar një reagim të caktuar destabilizues te serbët dhe nga shqiptarët.
Në kuptim të nenit 230 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë dërgimi i dronit me banner në stadium është një akt për autorësinë e të cilit ka dy pista. Këtu duhet thënë se pavarësisht se ky akt është marrë përsipër nga një njeri i vetëm, nuk ka vetëm një autor, por është qartësisht bashkëpunim i shumë njerëzve.
1)Pista e parë: Një akt i kryer nga një celulë terroriste islamike shqiptare, që synonte të shkaktonte destabilizimin thelbësor të strukturave sociale të një shteti tjetër, në këtë rast të Serbisë, me pasoja të rënda deri në gjakderdhje masive. U pa qartë se ardhja e dronit me banner u bë shkak që Policia dhe Xhandarmëria Serbe të pranishme në stadium të gjendeshin në një situatë serioze kur mund të humbnin kontrollin mbi turmat e pranishme në stadium të cilat me këtë rast u përpoqën të hynin masivisht në fushën e stadiumit për të mësyrë lojtarët shqiptarë të cilët kishin luftuar në fushë për t’ ua marrë bannerin lojtarëve serbë. Qëllimi i autorit të bannerit ishte që të shkaktonte një zemërim të madh te serbët e pranishëm në stadium dhe jashtë tij, gjë që duhej pritur se në banner kishte një hartë ku cereku i territorit të Republikës së Serbisë, bashkë me Kosovën, përfshihej brenda kufijve të një shteti tjetër, Shqipërisë. Ekspozimi i një simboli të tillë tillë në atë mënyrë që u bë duke ardhur nga qielli në fushën e lojës, në një mjedis të tensionuar, siç është një ndeshje futbolli mes dy vendeve që ndajnë një të shkuar konfliktuale, është qartësisht një provokim që mund ta shkaktojë shpërthime të turmave të tifozëve, me pasoja që shkojnë deri në gjakderdhje. Nëse dërgimin e dronit me banner në stadium e ka ideuar si plan si dhe e ka zbatuar, një celulë terroriste islamike shqiptare, atëherë kjo ka pasur si qëllim të qartë, së pari që të shkaktojë një gjakderdhje në Beograd ku lojtarët e përfaqësueses shqiptare do të vriteshin për kauzën e një flamuri me simbolikë islamike, por të kamufluar me simbole kombëtare shqiptare. Qëllimi i dytë ka qenë që të ketë destabilizim thelbësor të strukturave shoqërore në Shqipëri, në kuptim të nenit 230 të Kodit Penal. Duke pasur parasysh se që të quhet e kryer vepra penale e parashikuar nga Neni 230 i Kodit Penal nuk duhet të ketë ardhur domosdoshmërisht pasoja, mund të bëhet pyetja se çfarë do të kishte ndodhur nëse për shkak të uljes së dronit me banner në stadium të ishin vrarë lojtarët shqiptarë në fushën e stadiumit. Për sa i përket përgjegjësisë së atij që dërgoi dronin me banner është njëlloj sikur kjo gjë të kishte ndodhur. E nëse do të kishte ndodhur kjo gjë atëherë do të kishte pasur protesta të dhunshme në Tiranë ndaj institucioneve shtetërore, nga të cilat ekstremistët do të kërkonin reagim ndaj Serbisë. E këto protesta mund të përfundonin me gjakderdhje. Kjo do të thotë destabilizim thelbësor i strukturave shoqërore. Hipotezat e mësipërme nuk janë pika e dobët e këtij arsyetimi, se neni 230 është i formuluar në atë mënyrë që autori fajësohet para së gjithash për qëllimet e tij, pavarësisht ardhjes së pasojave.
Nuk mund të mos vihet re simbolika terroriste islamike e bannerit të dronit. Faktikisht, banneri i dronit ishte një flamur i zi, brenda të cilit kishte një hartë, dy portrete, një datë sipër hartës, dhe një mbishkrim poshtë saj. Data 28 nëntor 1912 sipër hartës dhe portretet e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit, anash hartës, kërkonin të kumtonin se me këtë hartë u shpall pavarësia e Shqipërisë në 28 nëntor 1912, në Kuvendin e Vlorës. Por kjo nuk është e vërtetë, se harta zyrtare të cilën Kuvendi i Pavarësisë i Vlorës, ia dërgoi Konferencës së Londrës për kufijtë e shtetit të ri shqiptar, ekziston si dokument, dhe atje nuk bën pjesë Sanxhaku që gjendej në hartën e flamurit të zi. Sanxhaku është tregues se harta e dronit i përket një projekti islamik ballkanas, që e shikon Sanxhakun si urë lidhëse me Bosnjën islamike për të krijuar një kahlifat islamik në Ballkanin Perëndimor. Ky projekt islamik kërkon të keqpërdore projektin historik të Shqipërisë Etnike, meqënëse e di se projekti i Shqipërisë Etnike ka një disponim entuziast tek shqiptarët, duke qenë se aspirata për bashkim kombëtar është edhe një ide që ka legjitimitet kushtetues në Shqipëri, pasi gjendet në preambulën e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
Autori i bannerit i ka vendosur portretet e dy etërve themelues të shtetit shqiptar, Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit, në një hartë e cila nuk ka asnjë lidhje me atë që bënë ata në 28 nëntor 1912 në Vlorë, përveç të tjerave edhe për t’ u përpjekur që të justifikojë grafikisht sfondin e zi të bannerit, domethënë se portretet duken mirë në sfond të zi. Por nëse shikohen fotografitë origjinale nga të cilat janë marrë portretet, vihet re se ato nuk janë në sfond të zi dhe do të dukeshin njëlloj edhe në një sfond më të gjerë të bardhë. Qëllimi i autorëve të bannerit ishte të dizajnonin një flamur të zi. Sfondi i zi i bannerit, i ngjashëm me flamurin e ISIS, shtetit islamik, përfshirja në hartë e Sanxhakut boshnjak me popullsi më së shumti sllave muslimane, si dhe pretendimi për ngritjen e dronit nga një kishë ortodokse serbe, prej dorës së një muslimani, kanë simbolikë të qartë islamike të Xhihadit, luftës së shenjtë islamike.
Qëllimi i autorit të bannerit ishte që t’ i bënte shqiptarët, në mënyrë të pavetëdijshme adhurues të një flamuri të zi, për të cilin e tepërt të them, është flamuri luftarak i ISIS, shtetit islamik. Nuk është fjala thjesht për një banner me një kumt politik që u ekspozua në një ndeshje sportive qoftë edhe të tensionuar, por për shumë më tepër, z. Prokuror i Përgjithshëm! Është fjala për një simbol të rrezikshëm që ka lindur para syve tanë, si dublues i flamurit kombëtar dhe shtetëror shqiptar, dhe që nesër mund të bëhet flamuri i një lëvizjeje terroriste islamike të kamufluar si lëvizje kombëtare. Kur bëhet fjalë për rrezik të lëvizjeve terroriste islamike në Ballkan, e posaçërisht në Shqipëri e në trojet e banuara nga shqiptarë çka na intereson veçanërisht për shkak të pasojave që ka nuk duhet pritur që levizjet terroriste islamike në të ardhmen të bëhen domosdoshmërisht me simbolikë thjesht islamike, por për të tërhequr sa më shumë njerëz do të kërkojnë që simbolikën islamike ta ndërthurin dhe kamuflojnë me simbolikën kombëtare. Një shembull për këtë është banneri i dronit, të cilin e kam përshkruar më lart. Në të ardhmen ky simbol i rremë mund të bëhet shkak për destabilizimin e strukturave thelbësore shoqërore të shtetit shqiptar, në kuptim të nenit 230 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, prandaj kjo ngjarje meriton një hetim të thellë, në përfundim të të cilit të arrihet deri te e vërteta me anë të fakteve. Qëllimi tjetër i autorit të bannerit ka qenë që të promovohet një Flamuri shqiptar i Xhihadit, i kamufluar si flamur i Shqipërisë Etnike.
Por pista e parë, pra ajo e një celule terroriste islamike, e cila ka vepruar e vetme, bie për shkak se të gjitha rrethanat e vendngjarjes, tërësia e fakteveve dhe kronologjia e ngjarjeve, tregojnë se askush nuk ishte në gjendje ta ngrinte dronin dhe dërgonte në stadium pa bashkëpunuar me forcat e sigurisë të Policisë, Xhandarmërisë ose të shërbimeve të fshehta serbe. Synimi pra ka qenë që të krijohet përshtypja se ka qenë një celulë terroriste islamike shqiptare që e ka kryer aktin.
Serbia nuk e ka paraqitur këtë version për ngjarjen se ka lënë kohë që shqiptarët të entusiazmohen masivisht nga banneri i dronit, dhe bota ta shikojë këtë gjë. Por më vonë Serbia, do të thotë se hetimet kanë dalë në këtë përfundim, dhe do të flasë për simbolikën islamike të flamurit të zi, për simbolikën e hartës si hartë e kahlifatit islamik ballkanas, për simbolikën terroriste islamike të ngritjes së dronit me këtë banner nga dora e një muslimani nga një kishë ortodokse serbe. Prandaj institucionet shqiptare duhet t’ i paraprinë këtij kurthi dhe të zbulojnë të vërtetën e kësaj ngjarjeje me anë të një hetimi të thellë dhe serioz.
2)Pista e dytë: Një akt i kryer nga shërbimet e fshehta serbe, të cilët kanë bashkëpunuar me një shtetas shqiptar i cili kishte si detyrë që ta merrte përsipër aktin e ngritjes së dronit. Pra ai që në gjuhën e shërbimeve inteligjente njihet si false flag operation. Kjo është dhe pista për të cilën ka shumë prova bindëse. Strukturat shtetërore të Serbisë kanë simuluar një vepër me qëllime terroriste si të kryer nga shqiptarët, për përfitime të politikës shtetërore serbe, të cilat kuptohen nga deklaratat që bënë pas ndeshjes të gjithë shtetarët e lartë serbë. Një false flag operation i kryer ndaj një shteti ka qëllime të disafishta. Në këtë rast një prej qëllimeve ishte që të nxitej një reagim kolektiv i shqiptarëve, përpara një audience globale, për një flamur të zi me simbolikë të qartë islamike, për të cilin në çdo rrethanë tjetër shumica absolute e shqiptarëve nuk do të ishin aspak entuziastë. Serbia e quajti zyrtarisht bannerin e dronit si “Flamuri i Shqipërisë së Madhe”, çka do të thotë se paska një flamur kombëtar dhe shtetëror shqiptar dhe një flamur të “Shqipërisë së Madhe”, i cili qenka me sfond të zi, si flamuri i ISIS, shtetit islamik. Serbia zyrtare quan “Shqipëri të Madhe” atë që për shqiptarët është “Shqipëria Etnike” dhe që është një projekt historik dhe legjitim shqiptar, i sanksionuar dhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë si aspiratë që duhet arritur me mjete paqësore, dhe që së fundmi është artikuluar disa herë edhe nga Qeveria e Shqipërisë.
Sigurisht që nuk duhej pritur që Serbia të shprehej publikisht për përmbajtjen e bannerit si flamur i zi islamik, se Serbia e dinte që kështu turmat shqiptare nuk do të shprehnin entusiazëm për bannerin e dronit, pasi do ta kuptonin mashtrimin.
Qëllimi i Serbisë me këtë false flag operation ka qenë që institucionet shtetërore në Shqipëri e së pari Qeveria, të gjendura përballë entusiazmit të përgjithshëm të shkaktuar nga droni me banner, të mos guxojnë që ta denoncojnë flamurin e zi me hartën që përfshin Sanxhakun si një simbol terrorist islamik, që ka përdhosur simbole kombëtare shqiptare si shqiponja e zezë dhe portretet e dy etërve themelues të shtetit shqiptar, njëri prej të cilëve është portreti zyrtar që gjendet në çdo zyrë shtetërore. Kështu do të krijohej një farë bashkëfajësie e qeverisë dhe e shtetit shqiptar me adhuruesit e flamurit të zi, gjë që do ta kompromentonte Qeverinë Shqiptare kur të artikulonte aspiratën kushtetuese të bashkimit kombëtar shqiptar.
Gjithashtu nuk duhet harruar se ndeshja Serbi-Shqipëri përkoi me vizitën në Beograd të Presidentit Rus Putin, i cili ishte i ftuar që të vinte në Beograd dy ditë pas ndeshjes në një vizitë zyrtare. SHBA, NATO, Bashkimi Europian e kishin qortuar shumë Serbinë për këtë vizitë, për arsye se Rusia gjendej dhe gjendet nën regjimin e sanksioneve të NATO-s dhe Bashkimit Europian, për shkak të ndërhyrjes ushtarake ruse në Ukrainë. Në këtë rrethana Serbia donte një shkak që të reagonte ndaj Perëndimit, duke kaluar nga pozita mbrojtëse në pozita sulmuese dhe këtë shkak e gjeti me dronin në ndeshjen Serbi-Shqipëri, duke e akuzuar Shqipërinë, një vend të NATO-s se bëri përpjekje të destabilizojë Serbinë dhe Ballkanin me një provokim shtetëror, çfarë e quajti dërgimin e dronit me banner në stadiumin “Partizani” të Beogradit.
Sigurisht që Serbia e dinte se kryerja e një false flag operation të tillë bartte rrezikun që situata të dilte jashtë kontrollit në stadium, por përqëndrimi policor në stadium dhe përreth tij ishte shumë i madh, madje qartësisht më i madh se sa shifrat zyrtare të publikuara, gjë që ra në sy në momente të caktuara. Kështu që autoritetet serbe mendonin se do ta kishin situatën nën kontroll, për aq sa donin ta kishin, sipas skenarit. Në mbështetje të kësaj piste të dytë është edhe fakti se Serbia, ndonëse e ka quajtur zyrtarisht Ismail Morinajn si përgjegjës për ngritjen e dronit, nuk ka nxjerrë urdhër arresti ndërkombëtar për të.
Por shteti shqiptar është fajësuar zyrtarisht dhe në mënyrë formale nga shteti serb për dërgimin e dronit me banner në stadium, me anë të një note zyrtare proteste që Qeveria e Serbisë i ka dërguar Qeverisë së Shqipërisë, nëpërmjet Ambasadorit të Shqipërisë në Beograd i cili u thirr në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë dhe iu dorëzua kjo note zyrtare nga vetë Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë. Në këtë notë pretendohet se Serbia i ka provat që droni me banner ishte një provokim shtetëror shqiptar.
Këto janë arsye shtesë për të cilat në Shqipëri duhet të bëhet një hetim serioz i kësaj çështjeje. Për mbarëvajtjen e këtij hetimi duhet që Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë, pasi ta marrë përsipër drejtpërdrejt hetimin e kësaj çështjeje, dhe pasi t’ i bëjë me dije nëpërmjet kanaleve zyrtare Prokurorisë së Përgjithshme të Serbisë se në Shqipëri ka nisur një hetim për këtë çështje, t’ i kërkojë zyrtarisht që të dy palët të bashkëpunojnë për hetimin e kësaj çështjeje, me shkëmbime të dyanshme të të dhënave. Me këtë rast pala shqiptare duhet që nëpërmjet kanaleve zyrtare t’ i kërkojë palës serbe që t’ i dorëzojë të dhënat e nevojshme për mbarëvajtjen e hetimeve, si më poshtë:
1)Dosjen e plotë të masave të sigurisë që ishin ndërmarrë në 14 tetor në stadiumin “Partizani” dhe në zonën e afërt të tij, që nga dislokimi i forcave policore dhe të Xhandarmërisë, duke përfshirë të dhënat e videokamerave vëzhguese.
2)Provat që ka Serbia për versionin e saj për ngjarjen. Meqënëse, gjashtë muaj pas kësaj ngjarjeje është e qartë se pala serbe nuk është duke bërë hetime për këtë ngjarje, atëherë nuk mund të nxjerrë si shkak sekretin hetimor për të refuzuar bashkëpunimin. Në çdo rast, dorëzimi i dosjes së masave të sigurisë nuk do të kishte dëmtuar hetimet serbe, edhe nëse ato do të qenë duke u kryer, realiteti i masave të sigurisë në stadiumin “Partizani” të Beogradit në ditën e 14 tetorit, nuk mund të ndryshohej që nga Tirana, varësisht të dhënave të mësuara në dosjen serbe. Përkundrazi, është pala serbe ajo që ka mundësi të ndryshojë diçka në dosjen e masave të sigurisë për ta përshtatur me versionin e saj për ngjarjen. Pra, dorëzimi i të dhënave do të ishte në interes të Serbisë, nëse ajo nuk ka arsye të tjera për të e bërë këtë gjë.
3)Të dhënat që Kryeministri serb Vuçiç i ka dërguar Bashkimit Europian tre orë para ndeshjes Serbi-Shqipëri. Sipas një deklarate të Kryeministrit Vuçiç, ai tre orë pa ndeshjes ka njoftuar Bashkimin Europian se shqiptarët kanë përgatitur një provokim të rëndë në Beograd me rastin e ndeshjes. Të njëjtën gjë Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë duhet ta kërkojë nëpërmjet kanaleve zyrtare edhe nga Bashkimi Europian, pra të dhënat e komunikimit të Vuçiç me zyrtarët e lartë të Bashkimit Europian për këtë çështje.
4)Të lejohen ekspertë të dërguar nga shteti shqiptar që të shqyrtojnë dronin, ose quadcopterin, siç është emërtimi teknik i tij, si dhe të njihen me të dhënat e hetimit serb mbi dronin dhe në rradhë të parë me gjurmët e gishtërinjve që janë gjetur në të.
5)T’ i kërkohen Serbisë të dhënat e hyrjes dhe daljes të Ismail Morinajt në Serbi, koha e hyrjes dhe e daljes, me çfarë dokumenti ka hyrë, ku ka hyrë, me cilin automjet dhe me çfarë targe, në cilin hotel është regjistruar etj.
6)T’ i kërkohet Serbisë nëse ka pasur të dhëna nga shërbimet e fshehta serbe që normalisht monitorojnë rrjetet sociale shqiptare, se Morinaj kishte paralajmëruar se do të kryente një akt të bujshëm në ndeshjen e 14 tetorit.
7)T’ i kërkohet Serbisë që të lejohet një grup specialishtësh shqiptarë që të verifikojnë në vendngjarje fakte që kanë të bëjnë me vendngjarjen, të cilat do t’ ua ofroj Prokurorëve të çështjes.
Përveç kësaj, Prokuroria e Përgjithshme duhet t’ i kërkojë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë që t’ i dorëzojë për nevojat e hetimit notën e protestës që Serbia i dorëzoi Shqipërisë për çështjen e dronit.
Gjithashtu, Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë duhet t’ i kërkojë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë që t’ i dorëzojë për nevojat e hetimit dosjen e plotë që Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Beograd dhe Drejtoria përkatëse në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë kanë përgatitur me deklaratat e zyrtarëve të lartë të Serbisë për këtë çështje, që në ditën e ngjarjes dhe pas saj.
Dhe në fund dua t’ ju kërkoj që Prokurororia e Përgjithshme të gjejë mënyrat për të marrë në dorëzim bannerin origjinal për nevojat e hetimit. Ku gjendet banneri dhe çfarë është bërë me të? Ai ju dorëzua përfaqësuesit të UEFA në mbrëmjen e 14 tetorit, por ku gjendet sot. Banneri është provë e nevojshme për hetimet në shumë kuptime. Dhe meqëënse Serbia nuk ka interes për të bërë hetime, atëherë le ta kërkojnë dhe ta marrin bannerin autoritetet shqiptare për nevojat e hetimit.
Une kam disponim absolut për të bashkëpunuar në hetimin e kësaj çështjeje, duke nisur që prej ballafaqimit tim me Ismail Morinajn para prokurorëve.
Me besim për hetimin serioz të kësaj çështje