Mentor Shabani dhe Linda Zeqiri shpallen pingpongistët më të mirë për vitin 2018-të

Federata e Pingpongut e Kosovës (FPPK) ka shpallur më të mirët e sportit të pingpongut për vitin 2018-të.

Pingpongisti më i mirë i vitit u shpall Mentor Shabani, anëtar i KPP “Ahmet Hoxha” në Ferizaj.

Pingpongistja më e mirë u zgjodh Linda Zeqiri, anëtare e KPP “Drita”, nga Gjilani.

Klubi më i suksesshëm i vitit u zgjodh kpp “Ahmet Hoxha”, nga Ferizaji.
Ekipi më i mirë për juniorë, Lidhja e Prizrenit.
Ekipi i seniorëve femra, Drita si dhe ekipi i seniorëve tek meshkuj, Lidhja e Prizrenit.

Kryetari i FPPK-së, Nehat Çitaku ka paraqitur aktivitetet gjatë vitit të kaluar në sportin e pingpongut të Kosovës.

“FPPK-ja arriti me sukses të organizojë të gjitha aktivitete në këtë vit, garat individuale, garat për të gjitha grupmoshat. Garat në katër liga dhe kupa e Kosovës. Pingpongistët në mënyrë të denjë u paraqitën në garën ballkanike, në Turqi pastaj në Kupën në Slloveni dhe lojërat në Spanjë. Në fazën e parë të grupeve, bashkë me Izraelin zhvilloi gjashtë ndeshje prej të cilave tri u organizuan në Kosovë”, tha ai.

Ai tha se megjithë sfidat që u përballën gjatë kampionatit të pingpongut në Spanjë, Kosova arriti që përsëri të marrë pjesë në të me flamur të vetin.

“Këtë vit, fatkeqësisht për herë të parë pingpongistëve iu refuzua pjesëmarrja në flamurin e Kosovës në një kampionat që u mbajt në Spanjë, që iu refuzua paraqitja aty, por pas një varg shkresash më në fund u arrit qëllimi që pingpongistët të pranohen”, u shpreh Çitaku.

Në fund u ndanë edhe mirënjohje për më të mirët e pingpongut dhe për ata që kontribuan për pingpongun kosovar.U nda mirënjohje për Departamentin e Sportit, në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për Gani Malokun, si një nga kontribuuesit më të mëdhenj të pingpongut, trajneri më i suksesshëm i vitit, Yll Maloku dhe për Radiotelevizionin e Kosovës.