Më shumë se 1 vjet e gjysë ka pritur të ndeshet ndaj Wilderit, Whyte i jep një shpresë menaxheri

Deontay Wilder është i hapur që të përballet me Dillian Whyte pas rimeçit të shumëpritur kundër Tyson Furyt. Këtë e ka thënë trajneri dhe bashkëmenaxheri i tij, Jay Deas.

Whyte është sfidues i detyrueshëm për titullin WBC për më shumë se një vit e gjysmë, mirëpo gjatë kësaj kohe, amerikani ka zgjedhur opsione të tjera

 

Ai është ndeshur me Luis Ortiz, Tyson Fury dhe Dominic Breazeale, duke regjistruar dy fitore dhe një barazim (në duelin kundërthënës ndaj britanikut).

Dillian duhet të presë edhe një kohë për t’u ndeshur me ‘Bomberin e Bronztë’, duke qenë se Deontay do të përballet me Ortiz në shtator dhe me Furyn në muajt e parë të vitit 2020.

Megjithatë, Jay Deas ka thënë se Wilder nuk e ka problem të ndeshet me Whyte, pasi ta zhvillojë rimeçin me Tyson.

“Nuk di shumë lidhur me situatën e Dillian Whyte dhe sa është e saktë (që ka pritur mbi 600 ditë si sfidues i detyrueshëm). E di se Deontay gjithmonë i ka dashur duelet më të mëdha. Ai nuk i është shmangur asnjëherë askujt”.

“Deontay i ka duelet ndaj Luis Ortiz dhe Tyson Fury. Por, e di se nuk e ka problem që më pas të ndeshet me Whyte apo këdo tjetër”, është shprehur Deas për World Boxing News