Mayweather – Pacquiao, ja sa fitohet nga meçi i shekullit!

Paratë janë tema kryesore e ndeshjes të shumëpritur mes Mayweather dhe Pacquiao që do të zhvillohet më 2 maj në Las Vegas. Secili prej kampionëve të ringut do të fusë në xhep të paktën 100 milionë dollarë, ndërkohë që MGM Grand, arena ku do të zhvillohet ndeshja, do të arkëtojë plot 70 milionë dollarë.
Biletat ende nuk kanë dalë në shitje, por ajo që dihet është se çmimi i tyre do të nisë nga 1500 dollarë dhe zyrtarisht mund të shkojë deri në 7500 dollarë, pastaj në treg të zi mund të kapë shifra të çmendura, transmeton telegrafi.

Nga ana tjetër do të jenë edhe gjyqtarët, që gjithashtu do të përfitojnë shuma të majme nga përballja e Mayweather me Pacquiao. Konkretisht gjyqtari veteran Kenny Bayless do të marrë 25 mijë dollarë, ndërsa secili prej treshes së gjyqtarëve do të paguhet me 20 mijë dollarë. Aspak keq për një ditë pune, pa harruar faktin që në ndeshjen e rekordeve, Bayless po vendos një rekord më vete si gjyqtari më i paguar në historinë e boksit.

Por cili është Kenny Bayless? Zgjedhja e 64-vjeçarit është pranuar me unanimitet nga të dyja kampet dhe nga shumë ai konsiderohet si arbitri më i mirë në botë. Në CV-në e tij gjenden disa prej ndeshjeve më të bujshme, përfshirë këtu edhe 12 duele të Mayweather dhe Pacquiaos, përkatësisht 5 të amerikanit dhe 7 të filipinasit, ndaj jo më kot Bayless do të ketë në duar duelin më të shtrenjtë në histori.