Mane pritet të bëhet më i paguar se Salah

Me 26 gola në 50 ndeshje, Sadio Mane ishte padyshim një nga më të mirët e Liverpoolit sezonin e kaluar, vit në të cilin “The reds” arritën të shpallen edhe kampionë Europe, duke mposhtur në finale Tottenhamin.

Edhe këtë sezon senegalezi e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme, duke arritur të shënojë 4 gola në 6 ndeshjet e para, ndërsa me formën spektakolare, ka tërhequr vëmendjen e Realit të Madridit.

Klubi spanjoll tentoi të kontaktojë me sulmuesin që këtë verë, por vetë Mane konfirmoi se nuk ka ndërmend të lëvizë nga “Anfield Road”, ndërsa drejtuesit e Liverpoolit po mendojnë t’i rinovojnë sërish kontratën.

Nëntorin e kaluar Mane firmosi një kontratë të vlefshme deri në verën e vitit 2023, me pagë prej 150 mijë paundësh në javë, ndërsa tani drejtuesit e “The reds” e ndjejnë që kjo shifër është e pamjaftueshme dhe kanë gati një tjetër ofertë.

Sipas mediave britanike, Liverpool është gati t’i ofrojë sulmuesit senegalez një pagë prej 220 mijë paundësh në javë, 20 mijë paundë më shumë se paga e Muhamed Salah, me kushtin që Mane të firmosë zgjatjen e bashkëpunimit deri në verën e 2025-ës.

Në javët në vijim pritet që menaxherët e sulmuesit të mbërrijnë në “Anfield” dhe të nisin bisedimet zyrtare, për të bërë të mundur hedhjen e firmës mbi kontratën e re, që do ta “blindonte” përfundimisht Mane te Liverpooli.